Për Agim Veliun, duket se ndodhi edhe shkarkimi i fundit.
Ai më nuk udhëheq me degën e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, të cilën e drejtonte për më shumë se 20 vjet, shkruan Gazeta Blic.
Në atë karrige, nga dita e sotme, do të ulet Ekrem Hyseni – një mjek llapjan dhe ish-deputet i LDK-së në mandatin e kaluar.
Ky vendim u mor në mbledhjen e së mërkurës në kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ekrem Hyseni, përveç drejtimit të degës, edhe zyrtarisht është kandidat i LDK-së për kryetar të Podujevës – komunë të cilën Agim Veliu e udhëhoqi për pesë mandate.
Nga fitoret e gjata – në humbje të shpejtë
Agim Veliu fitoi gjatë në politikë. Për 20 vite herë vetë, e herë nga njerëzit e tij, ai udhëhoqi një bastion të madh të LDK-së – Llapin.
Duke qenë fitues në zgjedhje dhe kryetar i degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu u ngjit lartë dhe shpejtë në strukturat qendrore të LDK-së.
Për shumë vite ishte nënkryetar i parë i Lidhjes Demokratike.
U bë njëri nga vendimarrësit më me ndikim në LDK.
Duke i patur mbrapa fitoret në Llap, Veliu merrte edhe funksione politike. Në vitin 2005 u bë ministër i Arsimit, në koalicion mes LDK-së dhe AAK-së, e ku kryeministër ishte fillimisht Ramush Haradinaj.
Por, ngjitja e ngadaltë dhe e lartë e Veliut në politikë, pati një rënie të madhe dhe jashtëzakonisht të shpejtë.
Ishte viti 2019, kur Veliu i kishte edhe dy vite mandat për të udhëhequr për të pestën herë me Podujevën, kur ai mori vendim që ta lë pozitën e kryetarit të komunës, për t’u bërë ministër i Punëve të Brendshme, në qeverinë që udhëhiqej nga Albin Kurti.
50 ditë pasi mori këtë detyrë, Veliu u shkarkua nga Kurti.
Kjo shkaktoi edhe rrëzimin e qeverisë dhe prishjen e koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ky ishte shkarkimi i parë i Veliut.
Podujeva, pas dorëheqjes së Veliut shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme. LDK humbi pas 20 vjetësh. Karrigen Veliut ia zuri një person që ky i fundit e kishte shkarkuar para disa vitesh nga funskionet brenda LDK-së. Bëhet fjalë për Shpejtim Bulliqin, i cili një vit para fitores së tij në Podujevë, ishte bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje – parti e cila ia mundësoi që të fitojë këtë garë.
I dyti shkarkim erdhi në momentin kur Lumir Abdixhiku u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Veliu u shkarkua nga pozita e nënkryetarit të parë të LDK-së – pozitë që e mbante në kohën kur partinë e drejtonte, Isa Mustafa.
Agim Veliu përveçse nuk ishte nënkryetar, mbeti edhe jashtë kryesisë.
I mbetur pa drejtim të komunës, pa post partiak, shpresa e Veliut ishte të bëhej deputet i Kuvendit.
Këtë e arriti, duke qenë udhëheqës i degës së LDK-së në Podujevë, ani pse kjo parti pësoi një debakël karshi Lëvizjes Vetëvendosje në Llap.
Mbi 22 mijë vota kishte arritur t’i merr LVV-ja, teksa LDK mbi 9 mijë sosh.
Funskioni i vetëm i Veliut, iu mor gjatë kësaj të mërkure.
Me vendim të Lidhjes Demokratike, Agim Veliu, më nuk do të jetë as drejtues i degës së LDK-së në Podujevë.
Këtë post ia mori Ekrem Hyseni, i cili në momentin kur Abdixhiku mori drejtimin e LDK-së, e zuri edhe karrigen e anëtarit të kryesisë qëndrore – si delegat llapjan – ulëse të cilën e mbante deri në atë kohë, vetë Agim Veliu.
Sikurse në të kaluarën, Veliu nuk u pajtua as me këtë vendim.
Vendimin e sotëm për heqjen e kompetencave si drejtues i LDK-së në Llap, e quajti ilegal.
“Është ba një marrëveshje pa pëlqim. Kemi qenë duke diskutuar me e ba një marrëveshje të madhe e mi tejkalu të gjithat. Ata sot paskan marrë vendim ilegal, ilegjitim për mua. Është në kundërshtim me statutin e LDK-së. Nuk ka të drejtë askush pa proces me e ndryshu kryetari, me zgjedhë, shkarku ose me e ngarku. Për këtë punë Kuvendi është”, ka thënë Veliu.
Tutje ai është shrehur se në asnjë rrethanë nuk do të pajtohet me një vendim të tillë.
“Në këtë rast Kryesia ka marrë vendim kundër statutit. Nuk ka të drejtë për këtë vendim. Ky është vendim që është marrë pa koordinimin e strukturave të LDK-së. Ky është një vendim ilegal për mua. Jolegjitim.”, thotë Veliu.
Ky mund të jetë shkarkimi i fundit i Veliut, pasi që aktualisht e vetmja pozitë që mban ai është ajo e deputetit të Kuvendit të Republikës. Atë që Veliu e bëri për 19 vite e humbi për dy sosh. Tani nuk është nënkryetar i LDK-së, nuk e drejton degën e LDK-së në Podujevë dhe nuk është kryetar i kësaj komune. Madje, mbeti edhe pa pozitë si anëtar i kryesisë së LDK-së.
Dikur, i kishte të gjitha këto. Ishte kryetar i Podujevës, nënkryetar dhe anëtar i LDK-së dhe shef i degës në Podujevë.
@Gazeta Blic.
Agim Veliu nuk i ‘bindet’ vendimit të partisë për shkarkim, thotë se është jolegjitim
Lumir Abdixhiku konfirmon shkarkimin e Agim Veliut nga shefi i degës së LDK-së në Podujevë
A u shkarkua Agim Veliu, nga kryetari i Degës në Podujevë?


