Pas përfundimit të sezonit 2020/21, shumë lojtarë kanë mbetur pa kontrata në klubet e tyre përkatëse.
Një nga lojtarët që nuk ka rinovuar ende me Feronikelin dhe i skadon kontrata në muajin qershor është Jean Da Silva, shkruan GazetaBlic Sport.
Sulmuesi tashmë i njohur për opinionin kosovar ka theksuar se do të presë deri në fund të muajit qershor dhe më pas do të vendosë për të ardhmen e tij.
Ai theksoi se dëshiron të vazhdojë të jetojë në Kosovë, por në rast se nuk ka oferta do të largohet në Brazil.
“Do të doja të qëndroja këtu në Kosovë, pasi do të pres dhe do të shoh nëse do të marr ndonjë ofertë. Nëse nuk kam ndonjë ofertë, do të kthehem në Brazil. Unë Do të pres deri në fund të qershorit. Kosova është shtëpia ime e dytë”, tha Jean Agostinho Da Silva për ‘GazetaBlic Sport’.
Carioca është pjesë e Feronikelit që nga viti 2018 dhe ka bërë paraqitje mjaft të mira në Evropë dhe Superligë për klubin nga Drenasi.
/GazetaBlic Sport


