Ish-këshilltari i Thaçit, Adil Behramaj, ka reaguar ndaj deklaratës së mbrëmshme të kryeministrit Kurti për ‘kriminelët e luftës’.
Behramaj në reagimin e tij në Facebook thotë se Kurti në mes të natës i paska shpallur kriminelë të luftës ish-udhëheqësit e UÇK-së.
“Ai paska konstatuar tërthorazi se Kosova e ka kryer detyrimin për dërgimin e kriminelëve të luftës në burg, ndonëse i paskan ngelur merak edhe disa kryetarë partish, sepse, sipas tij, edhe më tej paska kriminelë të luftës që dominojnë në institucione dhe parti politike” shkruan Behramaj në Facebook.
Reagimi i plotë:
Në mes të natës, Albin Kurti i paska shpallur kriminelë të luftës ish-udhëheqësit e UÇK-së. Ende pa filluar gjykimi i tyre në Hagë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët i kanë nga 3 dekada kontribut për lirinë tonë, Kurti si kryeministër i paska barazuar në Bruksel me shërbëtorët e regjimit të Millosheviqit. Kryeministër i kujt është ky?!
Ai paska konstatuar tërthorazi se Kosova e ka kryer detyrimin për dërgimin e kriminelëve të luftës në burg, ndonëse i paskan ngelur merak edhe disa kryetarë partish, sepse, sipas tij, edhe më tej paska kriminelë të luftës që dominojnë në institucione dhe parti politike.
Albin Kurti po ballafaqohet me paaftësinë e tij si kryeministër dhe tash po mundohet të gjejë shpëtim aty ku ndjehet i pakonkurrencë: në sulmet e ulëta politike!
Edhe Prokurori i Specializuar është më i kujdesshëm se Kurti. Dorëheqja e tij do ta shpëtonte Kosovën nga turpërimi i mëtejmë në arenën ndërkombëtare!


