Sporti

Xhafer Tahiri siguronte se Vushtrria do rikthehej aty ku e vendin, por tashmë ajo zbret në Ligën e Dytë

05/19/2021 08:14
nga:Mergim Rreci

Me ndeshjet e xhiros së 27-të në Ligën e Parë, ka përfunduar sezoni 2020/21.

Malisheva e Grupit A dhe Ulpiana e Grupit B, kanë siguruar promovimin direkt në Superligën e Kosovës, përcjell GazetaBlic.

Mirëpo, lajm i hidhur është se dy klube të njohura të futbollit kosovar, Vushtrria dhe KEK-u kanë rënë në Ligën e Dytë.

Vushtrria në të shkuarën ka qenë kampion i Kosovës, ndërsa KEK-u kishte fituar Kupën e Kosovës.

Vushtrria është njëra ndër skuadrat që ka prodhuar shumë futbollistë e emra të mëdhenj dhe natyrisht konsiderohet si njëra ndër qytetët që tradicionalisht ka qenë e lidhur me futbollin, megjithatë tashmë është në gjendje shumë të rëndë me probleme të sferave të ndryshme.

Ish-kampioni i Kosovës e ka mbyllur e fundit në grupin A dhe tani skuadra që ka pasur peshë të madhe në Superligë aktivitetin futbollistik do ta vazhdojë në nivelin e tretë të futbollit kosovar.

Më të atakuarit për këtë dështim janë Kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri dhe Kryetari i Klubit, Bajrush Kajtazi

Një koment i Kryetarit të Komunës, është duke qarkulluar në rrjetet sociale.

“Nuk bijmë në Ligën e Dytë. Në krejt botën ka pasur krizë për shkak të ‘Covid-19’, por ju siguroj që klubi ka me u rikthy ku e ka vendin”, kishte komentuar Tahiri.

/GazetaBlic Sport/