Sporti

Nika: Titulli me Prishtinën, momenti më i mirë në karrierë – do ta përfaqësojmë Kosovën në mënyrën më të mirë në garat evropiane

05/17/2021 16:49
nga:L J

Skuadra e Prishtinës është kampione e Superligës për sezonin 2020/21.

FC Prishtina ka fituar titullin një ndeshje para fundit, pas fitores së djeshme ndaj Gjilanit, shkruan GazetaBlic Sport.

Ekipi i udhëhequr nga Zekrija Ramdani e ka rikthyer titullin në kryeqytet pas tetë viteve, duke gëzuar kështu tej mase tifozët e klubit më të trofeshëm në vend.

Ardit Nika, portieri i Prishtinës ka luajtur një rol të madh në triumfin e klubit të Prishtinës, pasi ishte deçiziv në disa ndeshje me pritjet e tij, të cilat në fund iu shpërblyen me medaljen e kampionit.

23 vjeçari thotë se triumfi me Prishtinën ka qenë momenti më i mirë në karrierën e tij.

“Çdo ndeshje ka qenë e rëndësishme dhe çdo ndeshje e kemi pas sikurse finale gjatë sezonit prej kur unë jam në Prishtinë. Një falënderim i posaçëm shkon për trajnerin, kryesinë dhe të gjithë që kanë shprehur interesim që unë të jem pjesë e FC Prishtinës gjatë afatit kalimtar të janarit. Falenderojë edhe “Plisat” që na kanë përkrah në çdo minut dhe kanë qenë afër neve në forma të ndryshme. Sa i përket titullit, është një prej ndjenjave më të mira prej që merrem me futboll, është hera e parë që shpallem kampion i Kosovës në rangun e Superligës. Mendoj që ka me mbet kujtimi sa të kem jetë”, tha fillimisht Ardit Nika për “GazetaBlic Sport”.

“Kemi qenë në presion kogja të madh, por me mund dhe me punë ia arritëm që të dalim kampion dhe t’i gëzojmë “Plisat” dhe Prishtinën. Besoj që jemi shpërbly në mënyrën më të mirë, pas shumë ndeshjeve të vështira. Një meritë i takon edhe “Plisave” dhe normalisht trajnerit (Zekrija Ramadani), që na ka motivu në mënyrën më të mirë të mundshme. Në fund ia dolëm dhe tani vetëm festojmë titullin kampion”, vazhdoi Nika.

Në fund, portieri i FC Prishtinës theksoi se do ta përfaqësojnë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme në garat evropiane.

“Sa i përket garave evropiane, do të jetë një eksperiencë shumë e mirë, pasi siç dihet unë jam një portier i ri. Është një hap i mirë për karrierën time, poashtu ne do ta japim maksimumin që ta paraqesim Prishtinën, Plisat dhe gjithë vendin tonë në mënyrën mnë të mirë, ashtu siç duhet dhe siç i ka hije”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport