Presidenti i Shkëndijës, Lazim Destani është shprehur mjaft i lumtur me triumfin e skuadrës së tij në kampionatin e Maqedonisë së Veriut në edicionin 2020/21.
KF Shkëndija është shpallur kampione e Maqedonisë së Veriut në këtë sezon, me ç’rast do të garojë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, përcjell GazetaBlic Sport.
Destani shpreson se skuadra e tij do të arrijë sukseset më të larta në Kupat Evropiane.
Ja postimi i Destanit:
“Me përmbylljen e stinorit të futbollit 2020/’21 në Maqedoninë e Veriut, kam kënaqësinë në radhë të parë t’ua përcjell urimet e mia lojtarëve të KF Shkëndija dhe gjithë stafit të klubit për titullin kampion i vendit. Gjithashtu urime ju përcjell tifozëve të Shkëndijës kudo që jeni, anembanë trojeve tona me tifo-grupin pararojë ‘Ballistët’ që gjithmonë i qëndron pranë skuadrës kuqezi.
Në këtë sezon diktuar nga ndryshimet që i ka sjellë pandemia, mungoi gjallëria dhe emocionet që në ndeshjet e futbollit vijnë nga tribunat e mbushura me spektatorë. Uroj që sa më shpejt të kalojë periudha e pandemisë duke i lënë prapa të gjitha sfidat që ka sjellë ajo.
Në mënyrë të veçantë falënderoj për prezencën e tyre kryetarin e FShF Armand Duka, kryetarin e FFK Agim Ademi dhe kryetarin e FFMV Muhamet Sejdini.
Poashtu më gëzuan urimet nga të gjithë mbështetësit kudo që janë, përfshirë dhe liderët e të gjitha partive politike në vendin tonë, sadoqë të gjithë të ftuar, disa prej tyre nuk arritën të jenë prezent fizikisht.
Futbolli e ka forcën e tejkalimit të të gjitha dallimeve, nga cilado sferë qofshin ato, këtu e gjejnë kënaqësinë të gjithë ata që e duan dhe kënaqen me këtë sport kaq popullor.
Dëshiroj që gjatë kësaj vere Shkëndija në Kupat Europiane të arrijë suksese sa më të larta, duke u sjellë gëzim dhe emocion tifozëve të saj kuqezi e duke na bërë krenar të gjithëve”, shkruan Lazim Destani në Facebook.
/GazetaBlic Sport


