Lajme

Avokati i njohur: Ekipi i qeverisë për padi të gjenocidit ndaj Serbisë duhet të kuptojë nëse me statusin tonë kemi të drejtë padie apo jo

05/07/2021 19:41
nga:M K

Avokati i njohur kosovar, Skender Musa, ka thënë se Qeveria fillimisht duhet të krijojë një ekip që do ta përgatis padinë, por përfshirë këtu edhe faktin nëse me statustin tonë kemi të drejtë padie apo jo.

Në një prononcim për GazetaBlic, Musa shpalosi mendimin e tij, duke shtuar se padyshim që në Kosovë ka pasur gjenocid, por se qeveria fillimisht duhet të krijojë një ekip enkas për këtë çështje.

“Me çështjen e gjenocidit duhet të merren ekspertë më të mirë të penales në Kosovë, prokurorë, profesorë, avokatë por edhe njohës të së drejtës ndërkombëtare, sepse ekzistojnë disa kushte që duhet të plotësohen që shtetet të mund të parashtrojnë kërkesa për gjenocid.

Pa dyshim që në Kosovë janë kryer krime lufte dhe gjenocid për shkak se ka pasë vrasje masive të civilëve, shkatërrime të tërësishme të vendbanimeve, deportim të mbi 1 milion shqiptarëve.

Prandaj konsideroj se qeveria së pari duhet të formojë një ekip për të vlerësuar bazën ligjore duke përfshirë këtu edhe faktin se a kemi ne të drejtë me këtë status që e kemi ne, ende të panjohur nga një numër i madh shtetesh dhe institucionesh.

Pastaj është shqetësues fakti kur sheh se çfarë kuadrosh caktohen që të merren me këto çështje përkundër faktit që kemi ekspertë mjaftë të mirë, profesorë të fakultetit juridik që kanë përvojë edhe në gjykata të cilët pa asnjë dyshim nuk do të gabojne në aspektin profesional.

Nëse nuk përgatitet mirë çështja do të kemi dështim dhe vetëm pengesa për dialog, marrjen e statusit për anëtarësim në BE dhe për t’u anëtarësuar në organizata ndeërkombëtare.

Mirëpo personalisht jam shumë i interesuar që të kemi padi për gjenocid, po për këtë duhet konsultime me ekspertë të së drejtës ndërkombetare të Kosovës por edhe nga vendet e BE-së dhe ShBA-së”, tha ndër të tjera ai për GazetaBlic.

LEXO EDHE:

Ehat Miftaraj për padinë e paralajmëruar ndaj Serbisë nga Kurti: Kosova nuk ka kapacitet për të ushtruar padi

/GazetaBlic/