Lajme

Ehat Miftaraj për padinë e paralajmëruar ndaj Serbisë nga Kurti: Kosova nuk ka kapacitet për të ushtruar padi

05/07/2021 17:25
nga:Gazeta Blic

Përfaqësuesi i IKD-së, Ehat Miftaraj konsideron se Kosova në aspketin formal, nuk ka kapacitete për ta paditur Serbinë.

Duke e komentuar paralajmërimin e Qeverisë Kurti për padinë ndaj Serbisë për gjenocid, Miftaraj ka kërkuar koordinim me SHBA-në e BE-në.

“Në aspektin formal Kosova nuk ka kapacitet për të ushtruar padi ndaj Serbisë, padi e cila do të konsiderohej e pranueshme nga GjND”, tha ai për Gazeta Blic.

Sipas tij, shtëtndertimi i Kosovës është ngushtë i lidhur dhe varur nga mbështetja dhe ndihma e partnerëve ndërkombëtarë, andaj edhe çdo veprim në këtë drejtim duhet të ketë vëmendjen e tyre, koordinimin dhe bashkëpunimin.

“Çdo veprim i njëanshëm i Kosovës pa pajtim me ShBA dhe BE, kam frikën se do të kishte kunder efekt dhe tq vintë Kosoven në një situatë të pafavorshme”, tha ai për Gazeta Blic.

Ndërsa analisti politik, Arben Ahmeti në një përgjigje për Gazeta Blic e ka komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës, në lidhje me paralajmërimin për padi për gjenocid ndaj Serbisë.

Ahmeti është skeptik se një gjë e tillë mund të ndodh, duke thënë se këtë kryeministri Kurti po e përdor vetëm për pozicion politik para fillimit të dialogut Kosovë – Serbi.

“Është vetëm pozicion politik para fillimit të dialogut. Duke qenë i tillë nuk do të ndodh. Kushdo që ka qëllim ta bëjë këtë padi nuk duhet të flas për shkak të komplikimeve. Rrjedhimisht ata që e proklamojnë si premtim, nuk e bëjnë”, ka thënë Arben Ahmeti, shkruan Gazeta Blic. .

Ndërkaq pak minuta më parë Qeveria e Kosovës si pjesë të planit të punës së ekzekutivit për katër vitet e ardhshme, e ka paraparë edhe padinë ndaj Serbisë për gjenocid.

“Do të përgatisim padinë ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, deklaroi pak më herët gjatë mbledhjes së Qeverisë kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Kurti: Do ta përgatisim padinë për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë