Opinion

Unë jam një qytetar dhe kjo është qeverisja e Albin Kurtit në 30 ditët e para

04/25/2021 17:35
nga:Shkodran Hoti

Le të çlirohemi nga etiketimet e LVV’së dhe të flasim për kritikat e kësaj partie për 100 ditëshin e Avdullah Hotit si kryeministër, dhe të shohim se çfarë ka bërë Kurti si kryeministër lidhur me ato çështje në muajin e tij të parë në krye të ekzekutivit

Shkruan: Shkodran Hoti

Më 22 shtator të vitit 2020, Lëvizja Vetëvendosje përmes Arbërie Nagavcit i kishte nisur një kërkesë Kryesisë së Kuvendit për thirrje në raportim të Kryeministrit Avdullah Hoti lidhur me 100 ditëshin e punës së qeverisë. Në pamundësi që në kërkesën zyrtare t’i referohen zotit Hoti si “kryeministër ilegal”, ishin përkujdesur që njoftimin për mediat dhe publikun ta titullonin “100 ditëshi i dështimeve dhe dëmeve pafund të qeverisë së paligjshme”.

Siç ka bërë për vite sa ka qenë në opozitë, edhe në komunikatën e lëshuar lidhur me këtë kërkesë, partia e Albin Kurtit e kishte vajtuar thellësisht gjendjen e Kosovës, gati sa për ta lënë nën hije vajtimin e dikurshëm të Vashko Pashës për Shqipërinë. “Asnjëherë më parë në një kohë kaq të shkurtër nuk i janë shkaktuar kaq shumë dëme e pasoja vendit”, ishte fjalia që arsyetonte kërkesën për raportim të zotit Hoti nga nënkryetarja e Kuvendit asokohe, zonja Nagavci. E, këtë fjali, LVV e ka përdorur në çdo moment e për secilën qeveri si parti opozitare.

Më 22 prill Qeveria Kurti 2 mbushi 30 ditë jetë. Ani pse jo 100 ditë, është 1 muaj. Për mua nuk ka shumë dallim, derisa konceptin e 100 ditëshit e shoh mjaft absurd, sepse s’mund të jetë kurrfarë njësie matëse as e suksesit e as e dështimit të një qeverisjeje. Megjithatë, le të çlirohemi nga etiketimet e LVV’së dhe të flasim për kritikat e kësaj partie për 100 ditëshin e Avdullah Hotit si kryeministër, dhe të shohim se çfarë ka bërë Kurti si kryeministër lidhur me ato çështje në muajin e tij të parë në krye të ekzekutivit.

Kritika e parë që VV kishte adresuar ndaj Hotit ishte lidhur me vendimin për heqjen e reciprocitetit me Serbinë. Pa dhënë konstatime nëse reciprociteti ndaj shtetit fqinj është i duhur apo jo, është e udhës ta kemi një përgjigje nga qeveria se pse nuk po e vendos reciprocitetin tani nëse heqja e tij nga Hoti paska qenë vendim i gabuar. Pse nuk po e përmirësojnë “gabimin” e ish-kryeministrit?

Para ca ditësh Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, deklaroi se nuk mund ta thoshte saktë nëse mund të aplikohet reciprociteti me Serbinë. Ajo tha se do të përdoren mekanizma si CEFTA e EFTA, ama këto mekanizma a nuk kanë ekzistuar edhe gjatë Qeverisë Hoti? E, nëse vendimi për reciprocitet qenka i pamundur të merret pa u analizuar këta mekanizma, çfarë nëse rezultatet e kësaj analize thonë se reciprociteti nuk është i nevojshëm? Kush do të japë sqarime që Qeveria Kurti po vazhdon rrugën e asaj Hoti?

Një kritikë tjetër e VV’së ndaj 100 ditëshit të Hotit ishte lidhur me menaxhimin e pandemisë Covid-19, duke e cekur se në ditët e para të Qeverisë Kurti 1 – kur edhe ishin shfaqur rastet e para në Kosovë – kishte zero të infektuar. Wow! Thua se në vendet e tjera të botës pandemia ka filluar me nga 30.000 raste në ditët e para. S’do mend që menaxhimi më i lehtë i çdo pandemie është në ditët e para, ani pse menaxhimi edhe në atë kohë nga qeveria 50 ditëshe e Kurtit lë shumë për të dëshiruar. Në anën tjetër, edhe qeveria Hoti nuk meriton kurrfarë vlerësimi lidhur me menaxhimin jo vetëm në 100 ditëshin e saj, por gjatë gjithë kohës. Por, aktualisht, e rëndësishme është ta shohim si po menaxhohet pandemia sot nga Qeveria Kurti 2 apo kritikuesit e djeshëm.

Së pari, vetë kryeministri Kurti dhe ministri i shëndetësisë Arben Vitia, me t’u rrëzuar qeveria e tyre, thyen masat që dikur na ftonin t’i respektojmë. Ata u shfaqen në një tubim partiak midis qindra apo mijëra njerëzve. Pastaj, sikur edhe partitë tjera, nuk e respektuan asnjë masë në fushatën e fundit elektorale. Së dyti, kur erdhën prapë në krye të qeverisë, u mbushën një muaj dhe nuk kemi asnjë lajm të ri lidhur me vaksinat. Kur Gazeta Insajderi publikoi një hulumtim që tregonte se ministri Arben Vitia nuk e kishte nënshkruar kontratën me kompaninë amerikane për furnizim me vaksina, Pfizer, në afatin e fundit, më 15 prill, në vend të sqarimeve lidhur me këtë skandal që mund të na lërë pa vaksina deri në muajin shtator, qeveria përdori prokurorinë e policinë për t’i kërcënuar krerët e këtij mediumi. Çfarë rezultati dha mbyllja e pjesshme 12 ditore, kur shifrat e të infektuarve vazhdojnë të jenë të njëjta? Si bëhet që një qeveri furnizimin me vaksina ta lërë në mëshirën e kontakteve të Kamishit? Ky qenka menaxhimi i duhur i pandemisë?

Më tej, LVV kishte hedhur një varg kritikash ndaj 100 ditëshit të Hotit lidhur me dialogun me Serbinë, dështimet në planin ndërkombëtar dhe e kishte akuzuar qeverinë si të varur nga Lista Srpska, që për pasojë kishte lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Kur jemi tek dialogu, jemi dëshmitarë se si njeriu që më së shumti ka folur për negociatat me Serbinë, kryeministri Albin Kurti, ende nuk ka prezantuar asnjë platformë për dialogun me Serbinë. Derisa presioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për nisjen e dialogut sa më parë është në rritje, krejt çfarë ka bërë Kurti këto kohë është që e ka lëvizur çështjen e dialogut si prioritet të qeverisë së tij. Fillimisht thoshte që dialogu për qeverinë e tij është prioriteti i pestë a i gjashtë; pastaj numër tre apo numër katër; e ka të ngajrë që mund edhe ta kryesojë listën e prioriteteve.

Në planin ndërkombëtar, me çfarë note do t’i vlerësonte LVV dikur qëndrimet kontradiktore të kryeministrit dhe ministres së Punëve të jashtme, sikur në rastin e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, kur Kurti thoshte se duhet rishqyrtuar si çështje e kryediplomatja Donika Gërvalla e quante punë të kryer?

Sa i përket varësisë nga Lista Srpska të qeverisë së kaluar, kjo sigurisht që ka qenë kritikë me vend. Është po ashtu e vërtetë se Qeveria Kurti 2 nuk është e varur nga ky formacion politik, meqë për fat të mirë as nuk i duhen numrat e tyre. Por, është i pamohueshëm fakti se Albin Kurti bëri pazare me dy deputetë të pakicave që kontrollohen nga Lista Srpska, për t’i siguruar votat për zgjedhjen presidente të Vjosa Osmanit. Adem Hoxha, që në legjislaturën e kaluar ka qenë edhe pjesë e Grupit Parlamentar të Listës Srpska, ka deklaruar publikisht se kryeministri Kurti ia ka dhënë një post zëvendësministri në këmbim të votës së tij për zonjën Osmani. Pazari me detyrim s’mund të quhet ndryshe pos nënshtrim.

Lidhur me organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, që u lejuan gjatë qeverisë Hoti, Kurtin nuk mund ta gjykojmë as për kritikën e as ta paragjykojmë për veprimin e tij në një rast të tillë. Serbia i ka kryer zgjedhjet dhe Kurti nuk përballet tash për tash me këtë sfidë. Por, është mire që të kemi një sqarim nga Qeveria Kurti 2 se për ç’arsye iu dha leja për të hyrë në Kosovë Petar Petkovicit, i cili është drejtor i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë? Mbase kjo edhe mund të quhej shpifje, po të mos e kishte konfirmuar vetë kryediplomatja Donika Gërvalla për Gazetën Express. Ajo madje ka deklaruar se atij i është dhënë leja me kusht që t’i përmbahet Marrëveshjes së Brukselit. A nuk ishin të dëmshme deri tani marrëveshjet e Brukselit. E, në anën tjetër, kryediplomatja Gërvalla deklaroi se as nuk ishte në dijeni se Petkovic kishte dhuruar çelësa për 12 familje që janë bërë me banesa në Mitrovicën e Veriut. Kjo qenka mënyra se si shtrihet sovraniteti në gjithë vendin dhe kështu u bëka bashkimi i Mitrovicës? Bash pa e ditur se çfarë bëjnë zyrtarët e qeverisë së Serbisë në vendin tënd kur u jepet leje nga institucionet e Kosovës?

Kritika përmbyllëse e LVV’së ndaj Qeverisë Hoti ishte për mungesë vizioni e të një programi të qartë. Realisht, kjo është një kritikë që vlen për çdo qeveri të pasluftës. Mbase, nga fakti se si shoqëri nuk e marrim seriozisht këshillën se më e mirë se të mbajturit mend është mbajtja e shënimeve. Ama, e njëjta gjë vlen edhe për qeverinë aktuale. As pas 30 ditësh Qeveria Kurti 2 nuk ka prezantuar kurrfarë programi qeverisës. Cili është arsyetimi për këtë? A janë zgjedhjet në Shqipëri dhe përpjekja “historike” për ta bërë deputet Boiken Abazin atje, për çfarë zbarkuan plot deputetë të VV’së e ministra të kësaj qeverie në kohën kur qytetarët e Kosovës u izoluan për 12 ditë? Nëse ky është arsyetimi, i urojmë Boikenit sukses në zgjedhjet që do të mbahen sot në Shqipëri. Madje edhe Iliazit e Kreshnikut. Veç tash, le të punohet në program e të shohim se ç’na pret në katër vitet e ardhshme.

Ky ishte muaji i parë i qeverisjes së Albin Kurtit. Uroj që muaji i dytë më i mire se muaji i parë e më i keq se muaji i tretë. Dhe shpresoj që këtë kryeministri ta konfirmojë me fjalët e fushatës: Unë jam Albin Kurti dhe e mbështes këtë kërkesë.