Superliga e Basketbollit të Kosovës tashmë është në fazën e saj finale.
Skuadrat janë duke garuar tashmë në ndeshjet e Play-offit për titullin e kampionit, shkruan GazetaBlic.
Ponte Prizreni është skuadra e cila ka pasur një edicion të shkëlqyer deri këtu dhe natyrisht tashmë synon që këtë seri ta vazhdojë edhe në fazën e fundit finale.
Trajneri i kësaj skuadre, Arbnor Rifati në një prononcim për GazetaBlic Sport tha që bilanci i arritur gjatë kampionatit nga skuadra e tij është sinjal pozitiv dhe natyrisht pret edhe një play-off fantastik.
“Normal pasi ishim kampion në sezonin e rregullt, atë po e kërkojmë edhe në playoff për të arritur, shanset janë gjithsesi sepse bilanci 20/8 është nuk është rastësi, ritmi i ndeshjeve do të jetë i lartë pasi që do të zhvillohet nga një brenda dy ditëve. Do të jetë një super playoff, ashtu siç ishte edhe kampionati” tha fillimisht Rifati për GazetaBlic Sport.

Ai më pas foli rreth finales dhe tha se është i përkushtuar fillimisht në gjysmëfinale dhe se nuk ka ndojnë kundërshtar që do ta veçonte për finale.
“Unë nuk mund të apostrofoj asnjë ekip që (nuk) do ta dëshiroja sepse të gjitha ekipet po luajnë basketboll, por ne njëherë duhet të kalojmë Pejën dhe pastaj të mendojmë për finalen, sepse është ende herët” përfundoi Rifati.
/GazetaBlic/


