Sporti

ZYRTARE: Vushtrria e humbet ndeshjen në tavolinë ndaj Vëllaznimit

04/20/2021 18:02
nga:L J

Komisioni i Garave për Superligën dhe Ligën e Parë në futbollin kosovar ka mbajtur mbledhjen e radhës me rastin e regjistrimit të ndeshjeve.

Eshtë aprovuar ankesa e KF Vëllaznimit dhe ndeshja e xhiros së 23-të ndërmjet Vushtrrisë dhe Vëllaznimit, regjistrohet me rezultatin zyrtar 3-0 në favor të gjakovarëve.

“Kuqezinjtë” kanë parashtruar ankesë në parregullusinë e paraqitjes së lojtarit të Vushtrrisë, Drilon Fazliu, i cili është aktivizuar në lojë me katër kartonë të verdhë.

Më poshtë e gjeni vendimin e plotë:

V E N D I M

1.Aprovohet ankesa e KF Vëllaznimi dhe ndeshja e javës së 23-të, Liga e parë, Grupi ”A”, ndërmjet KF Vushtrria dhe KF Vëllaznimi, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF Vëllaznimi.

A R S Y E T I M
Komisioni i Garave me rastin e regjistrimit te ndeshjes KF Vushtrria – KF Vëllaznimi, java e 23-të, Liga e parë, Grupi ”A”, konstatoi se KF Vëllaznimi ka parashtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes së lojtarit të KF Vushtrria me nr.9 Drilon Fazliu, ID nr.007643M00, për arsye se lojtari është aktivizuar në lojë me katër (4) kartonë të verdhë.
Gjatë administrimit të provave KG konstatoi se ankesa është e parashtruar në afatin ligjor, e lejuar, e taksuar dhe i përmbushë të gjitha kushtet për shqyrtim dhe shtjellim nga KG.
Pas verifikimit të protokolleve zyrtare të ndeshjeve, KG ka vërtetuar se lojtari i lartcekur ishte i ndëshkuar me katër (4) kartonë të verdhë, në javën e 1, 14, 17 dhe 22-të, për çka është dashur të pushojë në javën e 23-të, andaj KG konstatoi se kemi shkelje të nenit 56, paragrafi 1 të Propozicioneve të Garave dhe neni 76, paragrafi 1, pika 2 të Rregullores së Garave, prandaj ankesa APROVOHET si e bazuar dhe ndeshja regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF Vëllaznimi.

Këshilla juridike:
Pala e pakënaqur ka të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi tek Komisioni Disiplinor i FFK-së/Komisioni i Apelit i FFK-së, në bazë të nenit 85, pika 3, e Rregullores së Garave, në afatin prej 3 ditësh nga publikimi i këtij vendimi në faqen zyrtare të FFK-së, apo datës së dërgimit në emailin e klubit.