Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritet e Belgjikës në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK).
Specialja ka bërë të ditur se sot, më 15 prill 2021, Pjetër Shala u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë.
“Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nikola Giju e konfirmoi aktakuzën kundër z. Shala më 12 qershor 2020. Aktakuza e konfirmuar e redaktuar tashmë është bërë publike në pajtim me rregullën 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave. Për arsye sigurie, Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi që aktakuza të bëhej publike me redaktime”, thuhet në komunikatën për media të Speciales.
Në aktakuzën e konfirmuar, Pjetër Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt. Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Së shpejti do të jepet informacion mbi datën dhe orën e paraqitjes së parë të z. Shala para Gjykatësit të Procedurës Paraprake. Paraqitja e parë mbahet në seancë publike dhe mund të përcillet përmes faqes së DHSK-së në Internet”, thuhet në komunikatën e tyre.