Dje u mësuan ekipet që do të marrin pjesë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Skuadra e Real Madrid dhe Manchester Cityt iu bashkuan PSG’së dhe Chelsea si skuadra gjysmëfinaliste të kësaj gare, shkruan GazetaBlic Sport.
Real Madrid barazoi dje me Liverpool, por kaloi tutje falë fitores në ndeshjen e parë në shtëpi me rezultat 3-1.
Manchester City kaloi në gjysmëfinale pas fitores me rezultat 2-1 ndaj Dortmund, skuadra e Guardiolas fitoi me rezultat të përgjithshëm 4-2.
Paris Saint Germain do të përballet me Manchester Cityn, kurse Real Madrid do ta pres Chelsean në ndeshjen e parë gjysmëfinale.
Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen me datë 27 prill dhe 28 prill, ndërsa ndeshjet kthyese me 4 dhe 5 maj, ku edhe do të mësohen ekipet finaliste të Ligës së Kampionëve.
- Dy nga ekipet gjysmëfinale ende nuk kanë fituar ndonjë titull kampioni në këtë kompeticion.
- Paris Saint Germain dhe Manchester City do të kërkojnë që për herë të parë ta ngrisin kupën e Champions League.
Ndërsa Real Madrid dhe Chelsea e kanë fituar më parë këtë kompeticion.
- Real Madrid është skuadra më e suksesshme evropiane në këtë garë me 13 tituj të fituar, ndërsa Chelsea e ka fituar këtë garë në edicionin 2011/12.
Të gjitha skuadrat kanë pasur rrugëtim të vështirë pasi kanë eliminuar skuadra të mëdha evropiane.
Chelsea ka eliminuar skuadra si Atletico Madrid dhe Porto, Real Madrid ka eliminuar skuadra si Atalanta dhe Liverpool.
Ndërsa ekipi i Guardiolas ka eliminuar, Dortmund dhe Monchengladbach, përderisa Paris Saint Germain pati punën më të vështirë duke e eliminuar kampionin aktual të kësaj gare, Bayern Munich.
/GazetaBlic Sport.


