Lajme

Osmani: Kosharja u shdërrua dhe vazhdon të jetë pelegrinazh lirie

04/09/2021 12:20
nga:Y I

Në 22 vjetorin e Betës së Koshares, Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Galuk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti vendosën kurora lulesh dhe bënë homazhe te kompleksi Memorial “Dëshmorët e Koshares”.

Osmani shkruan thyerja e kufirit me Shqipërinë në Koshare nga Brigada 138, nën udhëheqjen e Agim Ramadanit e Sali Çekajt, 22 vjet më parë ishte kambana e lirisë.

“Sot, përkulemi me dinjitet para varreve të këtyre trimave, të cilët mbrojtën dinjitetin, ekzistencën dhe trashëgiminë tonë!Testamentin e tyre për shtetin do ta përmbushim çdo ditë, me përkushtim maksimal, për të ardhmen e brezave!” shkruan Osmani në facebook.

Postimi i plotë:

Thyerja e kufirit me Shqipërinë në Koshare nga Brigada 138, nën udhëheqjen e Agim Ramadanit e Sali Çekajt, 22 vjet më parë ishte kambana e lirisë.
Nga 9 prilli i vitit 1999 e deri më 10 qershor, në këtë vend si askund tjetër, trimat e kësaj Brigade, i dhanë goditjen përfundimtare regjimit gjenocidal serb, i cili në këtë datë shënoi kapitullimin.

Në këtë ditë nuk u hoq vetëm një gur kufiri, por u hoq edhe një pengesë emocionale ndërmjet motrave e vëllezërve në Kosovë e Shqipëri.
Liria mori kuptim kur trimat e Brigadës 138, e vulosën përfundimisht lirinë tonë, shtruan bazament të fortë për të ardhmen, shtetin dhe kujtesën historike.

Kësisoj Kosharja u shdërrua dhe vazhdon të jetë pelegrinazh lirie.
Aty u bashkuan trimëria me mendjen, sakrifica me idealin dhe përjetësia me lirinë!

Sot, përkulemi me dinjitet para varreve të këtyre trimave, të cilët mbrojtën dinjitetin, ekzistencën dhe trashëgiminë tonë!
Testamentin e tyre për shtetin do ta përmbushim çdo ditë, me përkushtim maksimal, për të ardhmen e brezave!

Nuk ka më gurë ndërmjet nesh, por ka veç rrugë, ka integrim, ka bashkëpunim ndërvëllazëror dhe kultivim të shpirtit liridashës!
Lavdi dhe kujtim i përhershëm për të gjithë ata që ranë për lirinë tonë!