Lajme

LDK në Prizren: Pushteti i drejtuar nga Haskuka po kërcënon me largim nga zyret subjektet opozitare

04/07/2021 20:30
nga:Gazeta Blic

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, përmes një komunikate për media ka thënë se pushteti komunal në Prizren ka filluar që përmes shantazhit dhe kërcënimit të largojë nga zyret e tyre subjektet opozitare.

“Pushteti komunal në Prizren ka filluar shpërfaqjen haptazi të mendësisë jodemokratike, të shantazhit dhe kërcënimit me largim nga zyret e tyre të subjekteve opozitare, në pragë të zgjedhjeve lokale. Kryetari Haskuka dhe kabineti i tij, e për më shumë edhe krejt partia prej nga ata vijnë, duket se nuk e kanë as idenë e funksionimit të demokracisë.Shtetet demokratike e marrin për obligim mbështetjen logjistike të funksionimit të veprimtarisë së subjekteve politike, sidomos të atyre që fitojnë besimin popullor për përfaqësim në nivel lokal e qendror”, thuhet në reagim.

Tutje, sipas degës së LDK-së në Prizren, institucionet komunale ua kanë sjellë vendimin për t’i larguar nga zyret në të cilat LDK vepron pothuajse që 20 vite.

“Me arrogancë e në frymë shantazhi na e sollen sot vendimin për të na dëbuar nga zyret në të cilat LDK vepron pothuajse qe 20 vite. Ndërkohë që kanë injoruar në vazhdimësi, kërkesën e partive politike të bërë para një viti për një takim bashkëpunues”, thuhet ndër të tjera në reagimin e LDK-së në Prizren.

Sipas kësaj dege, pushteti i drejtuar nga Mytaher Haskuka, ka injoruar në vazhdimësi kërkesën e partive politike të bërë para një viti për një takim bashkëpunues.

“Afrimi i zgjedhjeve komunale, shihet qartë se tek Kryetari Haskuka, ka filluar të shpërfaq pasiguri dhe panikë. Paaftësia tij për të qeverisur, gjendja e mjerueshme në të cilën e ka sjellur Prizrenin, skandalet korruptive e abuzuese pa fund të administratës komunale, nuk mund ti mbuloi me nxjerrjen nga zyret dhe hudhjen në rrugë të partive opozitare vetëm pak muaj para zgjedhjeve lokale”, thuhet në reagim.