Sot me fillim nga ora 21:00 dy skuadra shumë të suksesshme në Ligën e Kampionëve do të ballafaqohen me njëra tjetrën në kuadër të çerekfinaleve të kësaj gare.
Skuadra e Real Madrid është skuadra më e suksesshme në këtë kompeticion me 13 tituj të fituar, ndërsa skuadra e Liverpoolit është skuadra më e suksesshme angleze me 6 tituj të tillë, shkruan GazetaBlic Sport.
Të dyja skuadrat do të kenë mungesa të rëndësishme në këtë takim.
Liverpoolit do t’i mungojnë qendërmbrojtësit kryesor Virgil van Dijk, Joe Gomez dhe Joel Matip, ndërsa Real Madridit do ti mungojë kapiteni Sergio Ramos, qendërmbrojtësi Raphael Varane i cili rezultoi pozitiv me Covid-19 pak para takimit me Liverpool si dhe sulmuesi belg, Eden Hazard.
Të dy trajnerët e kanë cilësuar një përballje mjaftë të vështirë për skuadrat e tyre.
Zinedine Zidane deklaroi se kjo është një finale e parakohshme.
“Është një finale me dy ndeshje, do të jenë 180 minuta të gjatë e ndoshta edhe më shumë, nuk e mendojmë finalen e fituar në vitin 2018”, deklaroi Zidane.
Kurse, Klopp është shprehur i lumtur dhe i entuziazmuar pas një shorti të tillë.
“Natyrisht se jam i lumtur, duhet të mposhtësh më të fortët për të treguar se jeni skuadër kualitative”, deklaroi Klopp.
Përballja e fundit mes Liverpool dhe Real Madrid ishte në finalen e vitit 2018, ndeshje e cila përfundoi me fitoren e Real Madrid me rezultat 3-1.
Dy skuadrat janë ballafaquar 6 herë në mes vete, dy të tilla ishin në finale.
Finalen e parë mes tyre e fitoi skuadra angleze me rezultat 1-0 në edicionin 1980/81, kurse finalen e fundit Real Madrid me rezultat 3-1 në vitin 2018.
Në përballjet tjera Liverpool ka 2 fitore po aq sa Real Madrid që e ka mposhtur 2 herë ekipin anglez.
Skuadrat vijnë nga një formë e mirë në ligat respektive, Liverpool ka 4 fitore nga 6 takimet e fundit dhe 2 humbje, ndërsa Real Madrid ka 4 fitore dhe 2 barazime në 6 takimet e fundit në La Liga.
/GazetaBlic Sport


