Lajme

8 Marsi/ Deputetja Balje flet për sfidat si grua në politikë: Çdo ditë është luftë për gratë por nuk duhet dorëzuar

03/08/2023 17:05
nga:G B

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komuniteteve, Duda Balje, në një intervistë për Gazeta Blic ka folur për sfidën e gruas në politikë, ofendimet e kritika që ajo merr.

Ajo thotë se çdo ditë është një luftë dhe se nuk është aspak e lehtë, edhe pse ka edhe komente motivuese.

“Sot e kemi ditën kur duhet rrumbullakësuar gjërat pozitive dhe negative. Ne çdo ditë përdorim termin luftë, jemi duke luftuar çdo ditë dhe nuk është lehtë. Për ne gratë në politikë nuk është aspak lehtë, çdo ditë paragjykohemi, ka edhe komente që të motivojnë, nuk janë të gjitha komentet e këqija por shumica janë ofenduese. Varet sa e fuqishme dhe sa stabile je për t’i kaluar këto dhe për ta vazhduar punën që ke planifikuar. Nuk është lehtë”, thotë ajo.

Balje shprehet se jobarazi ka në çdo vend, familje, kuvend e qeveri.

“Çdo ditë ballafaqohemi me gra të cilat janë gati për të pasur sukses të madh, që kanë shumë energji pozitive për të bërë ndryshime dhe i mbështesim dhe po ashtu në bazë të ligjeve brenda kuvendit punojmë që t’i mbrojnë gratë dhe të barazohen me meshkujt. Jemi duke luftuar edhe në familje, pastaj në rrugë, në parti shumë, në qeveri, edhe pse ka më shumë gra se në të kaluarën por prapë se prapë kur ka raste të vendimmarrjes speciale janë burrat dhe jo gratë”, thekson deputetja për Gazeta Blic.

Në arsyet që ndikon në këtë diskriminim, ajo përmend dhe traditën që thotë se po e luftojnë.

“Ka ndikuar edhe tradita, jemi duke luftuar edhe kundër traditës, se ne nuk jemi vetëm për shtëpi. Kemi shumë mundësi për të bërë gjëra të bukura por nuk duhet dorëzuar. Kohët e fundit kemi pasur konkurse publike kur asnjë femër nuk ka aplikuar. Duhet vërtet me luftu dhe jo me u dorëzu. Duhet pasur moment që fillimisht duhet thënë vetes se sa e rëndësishme jam dhe më pas t’ua thuash edhe tjerëve këtë”, potencon ajo.

Sa i përket numrit të lartë të dhunës dhe vrasjeve të grave në Kosovë, ajo thotë se viti ka nisur keq dhe se pret respektim më të madh edhe të grave ndaj grave, jo vetëm nga burrat.

“Nga statistikat e MPB-së veç vitin e kaluar kemi pasur afër 2500 raste të dhunës në familje. Këtë vit kemi pasur qysh në fillim disa vrasje, ka nisur keq. Duhet me ndryshuar veten, mendjen. Duhet kuptuar se nëse një grua thotë jo është jo, nëse ajo vendos që nuk duhet vazhduar martesa ose çdo gjë, ai vendim duhet respektuar. Unë pres respektim më të madh ndaj grave edhe nga gratë e edhe nga meshkujt. Ka raste kur femra ka pasur momente jo të mira qoftë në punë apo diku tjetër nga një tjetër femër”, shton ajo.