Lajme

500 euro gjobë ndaj ish-zëvendësministrit të MKRS-së për mosraportim të pasurisë brenda afatit ligjor

01/19/2023 16:21
nga:Astrit Gashi

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 500 euro gjobë ish-zëvendësministrin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), Engelbert Zefaj, për mosraportim të pasurisë brenda afatit ligjor.

Aktgjykimi në fjalë, u shpall të enjten nga gjykatësi Ertan Sejfulla, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dënimin me gjobë, i akuzuari obligohet ta paguajë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Sipas këtij aktgjykimi, Zefaj obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 30 euro për paushallin gjyqësor dhe 30 euro tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 18 janar 2023, Zefaj e ka pranuar fajësinë për mosraportim të pasurisë brenda afatit ligjor.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Engelbert Zefaj akuzohej se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, si zëvendësministër pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), me dashje ka vepruar në kundërshtim më Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Dhuratave për të gjithë Personat Zyrtarë.

Në aktin akuzës thuhet se i pandehuri Zefaj edhe pse ka qenë i obliguar dhe i njoftuar me kohë nga ana e zyrtares kontaktuese pranë MKRS-së për të bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin paraprak 2020, brenda afatit kohor dhe atë nga data 1 deri më 31 mars 2021, i njëjti deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë e ka bërë pas afatit ligjor, më saktësisht më 3 qershor 2021.

Me këtë, Zefaj akuzohej se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.