Lajme

Eliza Hoxha: Të bëhemi bashkë më 1 Tetor – për mua është problem se ku ka mbërri drejtësia

09/26/2026 10:50
nga:Y I

Deputetja e PDK-së, njëherësh pjesë e platformës  “Liria ka emër”, Eliza Hoxha, ka folur për 1 Tetorin, ditën e marshit për nder të ish-krerëve të UÇK-së të dënuar në Hagë.

Në emisionin “Weekend” në Klan Kosova, Hoxha tha se platforma “Liria ka emër” ka bërë bashkë shqiptarët.

“Krejt e gjejnë një copë të veten, një fije të veten, ku munden me u lidh, me u identifiku, me u ndi të përfaqësuar, me e pa në një dritë më të mirë rrugëtimin tonë për liri”, tha mes tjerash deputetja e PDK-së, raporton Klankosova.tv.

Sipas saj, lufta është zhvilluar nga njerëz që nuk kanë dashur të jetojnë të shtypur e pa të drejta elementare të njeriut.

“Atyre njerëzve për të cilët ne e ngrisim zërin sot, ditë e natë, ju ka takuar hisja, ose e kanë bërë vetë me vullnet, sepse nuk kanë menduar se duhet me jetu më tutje të shtypur, të përbuzur, pa dinjitet, e me integritet të shkelur, pa shkolla e pa informacion në gjuhën tënde, të cenuar për gjithçka dhe nga gjithçka, dhe ne, përtej që duhet t’i themi faleminderit çdo ushtari, duhet me u mundu që rrëfimet e tyre me i sjell për gjeneratat e reja”, deklaroi më tej Hoxha.

Për tubimet në shesh, të cilat po mbahen çdo natë që nga 16 shtatori, dita e aktgjykimit përfundimtar në Hagë, deputetja e PDK-së falënderoi edhe mediat.

Duke u ndalur te 1 Tetori, Eliza Hoxha tha se rrugëtimi për t’u organizuar për këtë datë, është i gjatë.

“Për me mbrri te 1 Tetori, kemi punuar gjatë për me rizgju shpirtin dhe dashurinë për ushtarin. Fëmijët sot e mësojnë ushtarin e FSK-së, e unë nuk e fali minutin për me thënë të njëjtën fjali, përsëri, që nuk mundesh me dashtë dhe me e respektu ushtarin e FSK-së, e mos me dashtë e mos me e respektu ushtarin e UÇK-së. Ka rrugëtim të gjatë të njerëzve që kanë kontribuuar deri te liria dhe pavarësia”.

“1 Tetori ka me qenë përbashkim i krejt zërave dhe pezmit i cili manifestohet në forma të ndryshme kreative çdo ditë e natë nëpër sheshe të komunave tona dhe qytete të Evropës, për me ardhë bashkë atë ditë, fuqishëm, me ‘jo në emrin tim’, ‘jo në emrin tonë’, jo në emër të Kosovës, jo në emër të dëshmorëve, jo në emër të atyre fëmijëve që i presin baballarët e tyre të kthehen prej Hagës, dhe jo në emër të ushtarëve të UÇK-së që kanë qenë bashkë me ta në atë rrugëtim”.

“Këtu dua t’i ftoj njerëzit që të jemi bashkë atë ditë, jo vetëm atë ditë, por çdo ditë, sepse kjo është thjesht jo vetëm lëndim dhe cenim i historisë dhe integritetit tonë, por për mua është edhe njëfarë pikëllimi në raport me normat demokratike për të cilat ne kemi mësuar dhe dëgjuar ligjërime dhe kemi punuar me ndërkombëtarët në Kosovë derisa jemi bërë shtet, dhe vazhdojmë me u thirr në idenë e ligjeve, demokracisë, paketës së BE-së që me i harmonizu dhe me jetu në një shoqëri të hapur e demokratike. Dhe nëse këto janë normat demokratike, atëherë për mua është problem se ku ka mbërri drejtësia”, u shpreh Hoxha nga “Liria ka emër”.

Në fund, ajo tha se duhet të jemi bashkë “nëse duam përnjëmend të kuptojmë se zëri dhe veprimi ynë ka peshë”.