Mijëra njerëz në Bosnjë u mblodhën këtë të dielë për të përkujtuar masakrën e Srebrenicës teksa u varrosën edhe 19 viktima të sapo identifikuara.
Ekzekutimi i më shumë se 8,000 boshnjakëve myslimanë, shumica prej tyre burra dhe djem, po përkujtohen në një seri ngjarjesh këtë 26 vjetor, pasuar nga rivarrosja e viktimave eshtrat e të cilave u gjetën në varre masive dhe të identifikuara kohët e fundit përmes analizave të ADN-së, shkruan AP.
Njëzet e gjashtë vjet pasi ata u vranë barbarisht, 16 burra, dy djem adoleshentë dhe një grua po preheshin në një varrezë përkujtimore në hyrje të qytetit lindor, duke u bashkuar me më shumë se 6 mijë e 600 viktima të tjera të masakrës tashmë të rivarrosur.
Varrimi i çdo viktime të identifikuar bëhet me një varrim dinjitoz çdo 11 korrik kur shënohet edhe përvjetori i fillimit të vrasjeve që ndodhën më 1995.
Vrasjet në Srebrenicë përbëjnë masakrën më të përgjakshme të luftës që vuri përballë tre fraksioneve kryesore etnike të vendit – serbët, kroatët dhe boshnjakët – kundër njëri-tjetrit pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Më shumë se 100 mijë njerëz u vranë në konflikt përpara se një marrëveshje paqeje të ndërmjetësohej në vitin 1995.


