Lajme

Mbi 62 mijë euro shpenzime nga Qeveria e Kosovës në gjashtë muajt e fundit, Bislimi më “dorëliri”

11/12/2021 09:29
nga:M K

Rreth 220 euro në muaj janë shpenzuar për kryeministrin Albin Kurti në dreka për periudhën prill tetor të këtij viti.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka shpenzuar më shumë para se vet kryeministri Kurti gjatë periudhës prill-tetor.

Gjithsejt 12,700 euro ka shpenzuar Bislimi në këtë periudhë, pjesa më e madhe e të cilave ka shkuar për bileta (3,927 euro).

Edhe Kurti për bileta shpenzoi 3,815 euro. Derisa për kryeministrin, për karburante janë shpenzuar 2,583 euro.

Për akomodim, për Kurtin u shpenzuan 1,804 euro derisa për dreka 1,327 euro.

Më së shumti shpenzime janë bërë nga Kabineti i Kurtit – gjithsejtë 14,403 euro. Shumica prej këtyre shpenzimeve janë bërë për dreka.

Zëvendëskryeministrja Emilija Redzepi ka shpenzuar 5,746 euro, derisa pjesa më e madhe e tyre kanë shkuar për karburante. Kabineti i Redzepit ka shpenzuar gjithsejtë 11,000 euro.

Më se paku shpenzime në Kabinetin e Kurtit ka shpenzuar zyrtari për protokoll, Ismail Hakki Ustaibo të cilit i kanë takuar 39 euro mëditje.

Ekonomisti Safet Gërxhaliu tha për RTVD se është mirë që të kursehen taksat e qytetarëve, sidomos në kohë pandemie.

“Duhet të tregojmë përgjegjësi dhe menaxhim të mirëfilltë të buxhetit. Qytetarët duhet të mësohen se edhe në Kosovë institucionet mund të kursejnë e jo të bëjnë garë kush po shpenzon më së tepërmi”, deklaroi Gërxhaliu.

Në total Qeveria Kurti për periudhën prill-tetor ka shpenzuar 62,616 euro.