Lajme

“Masë e jashtëzakonshme e fundit”: BE me qëndrim diametralisht të kundërt me Qeverinë dhe Presidenten për Vettingun

11/03/2021 17:39
nga:M K

Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Europian mbajnë dy anë të kundërta sa i përket procesit të vetting-ut; e para e sheh si prioritet rivlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, derisa e dyta e konsideron vetting-un si “masë të fundit të jashtëzakonshme” për reformat në fushën e drejtësisë.

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, nëpërmjet një përgjigjjeje në formë elektronike për lajmi.net, ka ritheksuar shqetësimin e shprehur në konstatimin e Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2021 lidhur me procesin e vetting-ut në fushën e drejtësisë, derisa ka potencuar se vetting-u duhet të shihet “si masë e jashtëzakonshme e fundit”.

“Raporti i Kosovës vë në dukje me shqetësim serioz mundësinë e një rivlerësimi të plotë të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve në Kosovë. Një proces i tillë verifikimi duhet të konsiderohet vetëm si masë e jashtëzakonshme e fundit, që të thotë se duhet të merret parasysh vetëm pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të siguruar integritetin e bartësve të funksioneve gjyqësore dhe për të luftuar korrupsionin”, është thënë në përgjigjen e dhënë nga Zyra e Informimit të Institucionit të BE’së në Kosovë.

Zyra e BE’së po ashtu e kanë parë të domosodshëm opinionin e Komisionit të Venecias karshi kësaj çështjeje, duke përkujtuar se ky komision është organ këshillimor dhe trup ekspert i Këshillit të Europës në rrafshin e së drejtës kushtetuese.

“Çdo proces verifikimi duhet të jetë gjithashtu në përputhje me standardet evropiane dhe për këtë arsye Komisioni i Venecias duhet ta vlerësojë atë sa më shpejt të jetë e mundur. Ky Komision është një organ këshillimor dhe trup ekspert i Këshillit të Evropës në fushën e së drejtës kushtetuese”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.

Të njëjtit kanë kërkuar që “të shmangen shqetësimet në funksionimin e sistemit të drejtësisë”, duke nënkuptuar që të mos ketë implikime politike.

“Kohët e fundit kemi dëgjuar shumë komente për procesin, edhe në lidhje me qëndrimin e BE-së për këtë. BE-ja gjithmonë ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë të gjitha përpjekjet për t’u siguruar që populli i Kosovës të ketë drejtësi efikase dhe të paanshme. Mjetet për ta arritur atë janë po aq të rëndësishme sa edhe objektivi përfundimtar. Kjo është pikërisht arsyeja që për BE-në, një verifikim i plotë mbetet vërtetë masë e jashtëzakonshme. Është gjithashtu e rëndësishme që të shmangen shqetësimet në funksionimin e sistemit të drejtësisë. Ne do të vazhdojmë dialogun me Qeverinë për këtë çështje”, thuhet tutje.

Vetting-u, e vetmja alternativë për krerët institucional
Përgjatë së mërkurës, është mbajtur takimi i parë i grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e vetting-ut. Pjesë e këtij takimi ishin edhe kryeministri, Albin Kurti, si dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilët e panë si të domosdoshëm rivlerësimin e bartësve të pozitave në gjyqësor.

“Qeveria e Republikës së Kosovës përmes vetingut, do të përgjigjet në kërkesën e pashtershme të qytetarit për drejtësi dhe nevojën esenciale për ushtrimin e të drejtave të garantuara. Gjithashtu, do të krijojë hapësirën e domosdoshme, që Qeveria dhe institucionet shtetërore të vihen në shërbim të popullit e të mos krijojnë sundim mbi të”, u deklarua Kurti përgjatë takimit.

Ndërkaq, Haxhiu ka thënë se kanë marrë përgjigje positive nga Komisioni i Venecias kundrejt vetting-ut.

“Koncept-dokumentin e kemi dërguar edhe në Komisionin e Venecias. Kemi marrë përgjigje pozitive që i njëjti koncept-dokument, do të trajtohet dhe do të marrim përgjigje nga Komisioni i Venecias”, ka thënë e para e Drejtësisë.

Sikurse kryeministri dhe ministrja e Drejtësisë, mendimin e njëjtë për vetting-un si formë të vetme për reformimin në sistemin e drejtësisë e sheh edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Kjo e fundit madje ka kundërshtuar konstatimet e raportit të Komisionit Evropian karshi çështjes së vetting-ut. Ajo në një konferencë për media ka thënë se pavarësisht se në raport thuhet që vettingu duhet të jetë masë e fundit që merret në Kosovë, si presidente inkurajon institucionet që ta vazhdojnë këtë proces.

“Komisioni Evropian konstaton se rivlerësimi i menjëherë i gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Si presidente nuk pajtohem me këtë konstatim. Mungesa e vettingut do ishte shqetësim serioz e jo përmbushja e këtij procesi”, ka thënë ajo.

“Komisioni Evropian konsideron se vettingu do duhej të ishte masë e fundit dhe e jashtëzakonshme pasi të jenë shteruar të gjithë mekanizmat, edhe ky konstatim është i gabuar sepse mekanizmat ekzistues janë këta për vite të tërë dhe kanë rezultuar joefektiv”, ka shtuar tutje Osmani.

Opozita në mëdyshje
Figura të dy partive opozitare më të mëdha në vend kanë kundërshtuar procesin e vetting-ut. Ish-ministri i Drejtësisë, si dhe deputeti i PDK’së, Abelard Tahiri, e ka kundërshtuar mënyrën e implementimit të këtij procesi.

“Ka tendenca për ta imponuar një proces të Vettingut mbi bazën e paragjykimit e ngarkesave ideologjike, paralelisht me dështimin për të ofruar një model të qëndrueshëm të bazuar në ligj e kushtetutë, jo vetëm që është shpërfillje e punës dhe përpjekjeve të sistemit, por edhe një masë ideale pas së cilës, është lehtë të fshihet dështimi i qeverisë në baza ditore, për t’i kontribuar konsolidimit të këtij sistemi”, ka vlerësuar ai.

Në anën tjetër, kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku ka thënë se subjekti i cili ai e udhëheq do ta mbështes procesin e rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve vetëm nëse bëhet në praninë e SHBA’së dhe BE’së, raporton lajmi.net.

“Ne kemi probleme elementare me drejtësinë, por vetting jo si një mjet për të përmirësuar sistemin është një domosdoshmëri, por si një mjet pushteti për të kontrolluar këtë sistem ndaj kundërshtarëve politikë është i pamundur dhe i padrejtë, ne nuk do ta lejojmë këtë” ka thënë Abdixhiku.

LDK-ja nuk do ta mbështesë këtë çështje pa SHBA-në dhe BE-në. Nëse BE-ja mbetet jashtë procesit, do ta bëjë atë të brishtë”, ka shtuar tutje ai

Miftaraj: Vetting-u të trajtohet me dialog dhe mbështetje ndërkombëtare, jo me deklarata politike
Njohësi i rrethanave juridike, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e ka parë procesin e vetting-ut si të vetmen formë për rritje të llogaridhënies dhe përmirësimit të rezultateve në fushën e drejtësisë.

“Vettingu në Kosovë është i pa alternativë. Sistemi i drejtësisë në Kosovë ka probleme serioze me integritetin, llogaridhënien, pandëshkueshmërinë dhe me mungesë të theksuar të rezultateteve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vettingu në këtë fazë është mjeti i vetëm që mund të ndryshoj sistemin e drejtësisë”, ka thënë ai në një prononcim për lajmi.net.

Megjithatë, Miftaraj ka kërkuar nga përgjegjësit e institucioneve që të dialogojnë me organet gjegjëse ndërkombëtare për çështjen e zbatimit të vetting-ut dhe të marrin pajtimin e tyre, e jo, siç shprehet ai, përmes deklaratave politike.

“Sidoqoftë, ky proces kërkon që të percjellët me besueshmëri, integritet dhe gjithpërfshirje të akterëve relevantë. Mbështetja dhe përkrahja nga ZBE dhe parterët ndërkombëtarë i garantojnë këtij procesi legjitimitet dhe besueshmëri. Andaj, partitë në pushtet e kanë obligim të bindin partneret ndërkombëtarë lidhur me rëndësinë e këtij procesi dhe të marrin bekimin e tyre. Kjo duhet të bëhët përmes një dialogu konstruktiv dhe përmbajtësor e asesi përmes konferencave për shtyp, deklaratave politike apo formave tjera që e zbehin integritetin e këtij procesi”, ka vlërsuar njohësi i çështjeve juridike.