Lajme

“14 vjet shtet” – Rrëfime për Gazeta Blic i deputetëve dhe akterëve tjerë të Pavarësisë së Kosovës

02/16/2022 18:56
nga:Y I

Me 17 shkurt të vitit 2008 në orën 15:39 minuta, në një seancë të jashtëzakonshme, ku merrnin pjesë 109 deputetë nga gjithsej 120 –  Kuvendi shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Nga 109 deputetë që nënshkruan ‘Deklaratën e Pavarsisë’ në mesin e tyre ishte edhe deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi.

Deputeti Rexhepi, duke folur në vigjilje të 14 vjetorit të Pavarsisë, tha për “Gazeta Blic” se pritjet e të gjithë njerëzve dhe atyre që kontribuan për shpalljen e Pavarisisë ishin tepër të mëdha .

“Jemi në prag të ditës së Pavarësisë, që nesër shënon 14- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë nga Parlamenti i Kosovës, deputet dhe nënshkrues i cilës legjislaturë isha edhe unë bashkë me 109 kolegë të tjerë. U firmosën aktet më të rëndësishme në historinë e krijimit të një shteti, me flamur me stendë më vonë edhe me Kushtetutë që ishte një sublimim i të gjithë asaj lëvizje të madhe të të gjitha gjeneratave që sakrifikuan për liri, demokraci dhe të drejtat tona”

Rexhepi tutje theksoi se gjatë këtyre 14 viteve ka patur lëshime por edhe gabime ç’ka ka zbehur edhe pritjet e njerëzve .

Këto lëshime sipas Rexhepit, kanë bërë që progresi të mos ishte ai për të cilin njerëzit kanë menduar

“Nisur nga momenti histori i shpalljes së Pavarësisë që ishte një entuziazëm i jashtëzakonshëm si në Kosovë po ashtu edhe në diasporë e kushdo që kishte ndihmuar për këtë perspektivë të re për Kosovën, padyshim që pritjet e njerëzve projektohen me më shumë dëshira dhe më shumë mundësi dhe ma shumë kërkesa të cilat në masë të mirë ndoshta janë realizu. Por pa dyshim se brenda kësaj periudhe 14-vjeçare ka patur lëshime politike, lëshime të tjera zhvillimore dhe gabime të tjera të cilat kanë mundur me e zvogëlu pak intensistetin dhe sidomos zhvillimin dhe progresin nga pikpamje ekonomike, sociale e pastaj sa i përket sundimit të ligjit. Pritjet e gjeneratave dhe brezave ishin shumë më të mëdha se sa ndoshta edhe mundësitë por sigurisht këtu nuk përjashtohen edhe lëshimet edhe gabimet që kanë bërë që progesi të mos ishte ai për të cilin kemi synu ose për të cilin njerëzit kanë mendu se duhet të ndodhë brenda këtyre 14 -viteve” tha Rexhepi për “Gazeta Blic”

Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, duke folur në këtë prag të 14 vjetorit të Pavarsisë së Kosovës, thotë se Kosova gjatë kësaj periudhe është shoqëruar me një sërë problematikash.

Spahiu thotë se vetëdija kombëtare në Kosovë është duke u rritur por me një ritëm tepër të ngadaltë.

“Per aq sa ishte Shqipëria një storie suksesi, Kosova po ecën të njëjtave hapa siç ka ecur Shqipëria pas shpalljes së Pavarsisë së saj. Me shumë probleme, patriotizëm të munguar , brishtësi të institucioneve. Gjithsesi vetëdija kombëtare në Kosovë është duke u rritur por me një ritëm tepër të ngadaltë” tha Spahija për “Gazeta Blic”

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari, duke komentuar këtë periudhë 14 vjeçare të Kosovës shtet, rendit arritjet dhe dështimet e shtetit tonë në këtë periudhë.

“Momentumi i shpalljës së pavarsisë ishte i qëlluar dhe kordinimi me partnerët ndërkombëtar sidomos me SHBA-të, ishte i shkëlqyer. Kjo bëri që edhe njohjet e shtetësisë dhe pavarsisë së Kosovës të vinin shpejt dhe të kordinuara.Lidershipi politik i asaj kohe ishte i përgjegjshëm dhe në nivel detyre. Ecja institucionale e Kosovës ishte e ngadalshme por konstante, u ndërtuan institucionet, administrata, policia,ushtria u konsolidua politika e jashtme ne aspektin ndêrkombëtar, filloi një zhvillim ekonomik ndonse i ngadalshëm kishte një rezultat pozitiv.Ndër vite paqartësia politike dhe raportet me Serbinë,dialogu, asociacioni, mungesa e sinqeritetit nga BE për liberalizimin e vizave, bëri që Kosova të futet në një depresion politik,zhgënjim në klasën politike, gabime në menaxhim dhe nivel korrupsioni që rritej vazhdimisht. Kjo i dha hapësirë opozitës për të bërë denoncime konstante për deshtim të shtetit në të gjitha fushat duke u ballafaquar në një betejë politike të ashpër dhe me elemente dhune”

Jashari thotë se sfida më e madhe e këtij rrugëtimi 14 vjeçar të Kosovës mbetet themelimi i Gjykatës Speciale.

“Sfida më e madhe e këtij rrugëtimi 14 vjeqar të Kosovës padyshim mbetet themelimi i gjykatës speciale dhe arrestimi i krerëve të luftës, z.Thaqi, z Veseli, Krasniqi e Selimi.
Sfida tjetër ishte, mosnjohja nga disa shtete të BE që kanë bllokuar integrimin në organizatat ndërkombëtare dhe liberalizimin e vizave, duke e shëndrruar Kosovën në geto dhe duke shkaktuar një migrim drejt europës.Tashmë arritjet e shtetit të ri janë të dukshme, por kishte mundësi të kishim edhe më shumë përparim nëse do të kishte menaxhim me të mirë” tha Jashari për “Gazeta Blic”.

Krerët e shtetit, në këtë 14 vjetor të shpalljes së Pavarsisë, kanë marrë urime të shumta nga e gjithë bota përfshirë edhe presidentin e SHBA-ve, Joe Biden, raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

​Presidentja Osmani merr mesazh urimi për ditën e pavarësisë nga presidenti i Konfederatës Zvicerane

Escobar deklarohet për dialogun Kosovë-Serbi para senatorëve amerikanë