Sporti

Përfaqëson Kosovën në “e-Euro 2024”, Uliks Polloshka: Do të jap maksimumin në mënyrë që ta përfaqësoj Kosovën në një mënyrë sa më të denjë

03/16/2024 10:43
nga:E K

“Kosova nuk do të mbetet tërësisht jashtë Kampionatit Evropian”. Kjo pasi në lojërat elektronike në kualifikimet e “e-Euro 2024”, Kosova do të përfaqësohet nga Uliks Polloshka.

Polloshka fitoi turneun përzgjedhës të organizuar nga UEFA dhe FFK, me mbi 180 pjesëmarrës nga Kosova dhe kësisoj e fitoi të drejtën e përfaqësimit të Kosovës në kualifikimet për “e-Euro 2024”.

Kosova është e përfshirë në Grupin G, ku do të përballet me Belgjikën, Suedinë, Finlandën, Ukrainën, Irlandën Veriore, Uellsin dhe Ishujt Faroe.

Polloshka në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport‘ thotë se është krenari për të që ta përfaqësoj shtetin në garat ndërkombëtare duke potencuar se ishte e vështirë të fitosh garën vendore në mesin e 180 garuesëve të tjerë me plotë potencial.

“Gjithsesi, është një ndjenjë e veçantë për çdo person të përfaqësojë vendin e tij në një garë ndërkombëtare. Është një krenari e pa zëvendësueshme dhe një gëzim i veçantë.

Grupi në të cilin bën pjesë Kosova është pa dyshim një grup shumë i fortë, me shumë lojtarë të nivelit të lartë. Do të jap maksimumin në mënyrë që ta përfaqësoj Kosovën në një mënyrë sa më të denjë. Krejt janë të mundshme për dy ditë dhe po përgatitemi për këtë.

Sa i përket pyetjes suaj për garën zgjedhëse, gjithsesi ishte një garë shumë e fortë me 180 pjesëmarrës. Me shumë garues të nivelit të lartë në këtë fushë, lojtarë shumë të mirë nga mbarë Kosova dhe diaspora. Gjithsesi, për fituesin, vendosin detajet dhe përvoja”, tha Polloshka për GazetaBlic Sport.