Në këtë fundjavë zhvillohen ndeshjet e fundit në Superligën e Kosovës në futboll.
Kjo do të jetë një javë përcaktuese për skuadrën e dytë që do ta sigurojë Evropën nga Superliga, si dhe për fatin e skuadrave që luftojnë për mbijetesën, shkruan GazetaBlic Sport.
Llapi, Feronikeli, Drenica dhe Arbëria janë të përfshira direkt në këtë garë dhe pikërisht ndeshjet e nesërme do të vendosin për fatin e skuadrave që do të largohen nga kjo garë.
Trepça ’89 është njëra ndër skuadrat më të rrezikuara dhe është e obliguar që nesër të fitojë ndaj Drenicës.
Para kësaj ndeshje për GazetaBlic Sport ka folur presidenti i kësaj skuadre, Abedin Zeka.
Zeka u deklarua i mllefosur para këasj ndeshje, ku tha se skuadra e tij nuk do të duhej të ishte në këtë pozitë, por është dëmtuar nga gjqytarët dhe gjyqtarët që i kanë bërë këto gabime janë shpërblyer sipas tij.
“Ne jemi të përgatitur për ndeshjen e nesërme ndaj Drenicës edhe pse kjo skuadër tradicionalisht na ka shkaktuar probleme. Ne jemi të dëmtuar me 10 pikë në këtë kampionat, i kam faktet dhe argumentet për këtë gjë. Ata gjyqtarë që na kanë dëmtuar neve nuk janë dënuar, por janë shpërblyer dhe janë dërguar në ndeshjet e radhës. Ne e kemi skuadrën më të re pas Besës në kampionat dhe dihet se si na ka mposhtur Prishtina në Mitrovicë në minutën e 96’të, dihet se si na kanë mposhtur në Gjilan kur kemi shënuar gol në minutën e 87’të e që na e kanë anuluar, dihet se si na e kanë anuluar golin në Skenderaj, dihet se si na e kanë anuluar golin ndaj Besës në Brestovik dhe si nuk na i kanë akorduar dy penallti ndaj kësaj skuadre në ndeshjen në Mitrovicë. Unë i kam të gjitha mjetet filmike dhe faktet për këtë gjë”, tha fillimisht Zeka për për GazetaBlic Sport.

Më pas ai tha se dikut po i pengon skuadra e tij dhe se ajo po shihet si pengesë. Poashtu ai tha se është presidenti më i vjetër nga skuadrat e futbollit dhe se nuk mund të ketë manipulime me të.
“Dikujt nuk i pëlqen që Trepça ’89 të jetë pjesë e Superligës së Kosovës dhe klubi jonë po shihet si pengesë e tyre. Ata duan që të kenë kuadro të reja që janë me nga një vite e dy vite në futboll dhe të manipulohet me to, ndërsa me mua nuk munden me manipulu. Ne i kemi dërguar gjashtë futbollistë jashtë Kosovës për treg të huaj dhe edhe kjo duket se është pengesë për dikë. Jam kryetari më i vjetër në futbollin kosovar që 22 vite ku nuk jam larguar për asnjë minut nga futbolli kosovar dhe Federatës së Futbollit të Kosovës duket se kjo gjë po i pengon, përfundoi Zeka.
/GazetaBlic Sport/
”


