Lajme

​Zemaj: Albin Kurti e Arben Vitia sot kanë rrezikuar qytetarët e Kosovës

05/14/2021 15:59
nga:M K

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e ka quajtur papërgjegjësi totale tollovinë e krijuar sot tek salla “1 tetori”, në Prishtinë, ku të moshuarit që prisnin për t’u vaksinuar. Ai tha se nënat dhe baballarët janë dërguar drejtë vdekjes, për çka tha se qeveria aktuale nuk e ka prioritet shëndetin e qytetarëve.

Zemaj tha se qeveria e drejtuar nga Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot kanë rrezikuar qytetarët e Kosovës duke u bërë shpërndarës të infeksionit dhe duke rrezikuar jetën e tyre.

Zemaj: Albin Kurti e Arben Vitia sot kanë rrezikuar qytetarët e Republikës së Kosovës

“Dëshpërimi jonë për të mos vijuar punët e mira aty ku kanë mbetur ka degraduar tërësisht, mos të them plotësisht jo vetëm në një keqmenaxhim por edhe sot duke drejtuar qytetarët, prindërit tanë, nënat, baballarët edhe fëmijët e tyre drejtë vdekjes. Në vend se të drejtohen drejt vaksinimit dhe sigurimit të jetesës në luftimin e pandemisë sot nga papërgjegjësia totale dhe nga neglizhenca e paparashikueshme jo vetëm këtu në rajon por edhe në mbarë botën Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti dhe nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia sot ka rrezikuar qytetarët e Republikës së Kosovës, duke u bërë shpërndarës të infeksionit por edhe duke rrezikuar drejtpërdrejtë jetën e tyre. kjo tregon që këta njerëz nuk e kanë prioritet shëndetin akoma vazhdojnë të menaxhojnë në stilin populist”, tha ai.

Sipas tij, çdo ditë është tregues që qeveria nuk e ka prioritet menaxhimin e pandemisë, ku theksoi se në kohën kur kishte numër enorm të rasteve të vdekjeve dhe të infektimeve me COVID-19 merreshin me situata politike në shtete fqinje, ndërsa sot deputetët e tyre merren me problemet në Lindjen e Mesme.

Zemaj tha se asnjë e mirë në procesin e vaksinimit nuk ka ndodhur deri më tani, ku tha se transparenca ka qenë zero dhe asnjë kontratë nuk është nënshkruar për furnizim me vaksina antui-COVID.

Ish-ministri i Shëndetësisë tha se plani i imunizimit nuk është respektuar nga qeveria aktuale dhe se QKMF-të sot kanë pasur mungesë të vaksinave.

Zemaj: Plani i imunizimit nuk është respektuar

“Plani i imunizimit nuk është respektuar, plani i imunizimit nuk është marrë parasysh, është mbetur ashtu siç e kemi lënë në uebfaqen e Ministrisë së Shëndetësisë. Sot QKMF-të anë e mbanë Kosovës kanë qenë të përgatitura për marrjen e vaksinave, vaksinat nuk kanë shkuar, ka grumbullim të qytetarëve edhe nëpër komunat përkatëse, ka kërkesa nga ky çakordim total janë drejtuar edhe për Prishtinë e cila nuk do të duhej të ndodhte. Qendrat tjera të cilat ishin të parapërgatitura për të shpërndarë dhe për të dhënë vaksinën fare nuk janë marrë parasysh, kjo tregon vetëm neglizhencë, por mbi të gjitha edhe logjikën e mbrapshtë që punët e mira nuk duhet të vazhdojnë por duhet të stagnojnë për inate politike. Për inate politike nuk vihet në pikëpyetje shëndeti i qytetarëve tanë, andaj sot ftoj edhe organet hetimore që t’i trajtojnë këto situata, t’i trajtojnë me seriozitet”, tha ai.

Menaxhimi i pandemisë, Zemaj tha se kërkon përkushtim fizik, moral dhe profesional, e për çka i ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtar si SHBA-ve, vendeve të BE-së, Zyrës së OBSH-së në Kosovë dhe UNICEFF-it, që intervenojnë dhe të theksojnë që situata duhet të kthehet nënkontroll.

Zemaj: Kjo mënyrë e sjelljes së këtij pushteti është çnjerëzore

“Kjo mënyrë e sjelljes së këtij pushteti është çnjerëzore dhe këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë askush, kjo kërkon përgjegjësi morale dhe përgjegjësi politike. Lusim sot, bëjmë thirrje edhe në aspektin njerëz dhe human që qeveria urgjentisht ta merr situatën në dorë, janë mekanizmat vetëm duhet të përkrahen mekanizmat profesional dhe profesionistët, jo të degradohen, jo të shkarkohen, jo të ndiqen luftë shtrigash politike ashtu siç kemi pa këto ditë në MSH. Ministra e Shëndetësisë nuk po udhëhiqet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk po udhëhiqet as në kompetencën ligjore dhe kushtetuese, kjo logjikë tregon që udhëhiqet në një lloj drejtori të AMF-ve apo QKMF-ve apo ta quaj në gjuhën popullore drejtor i ndonjë ambullante”, tha Zemaj.

Zemaj sërish ka theksuar se është i gatshëm të ofrojë ndihmë për qeverinë rreth vaksinimit, ku tha se ata mund të marrin parasysh pikat programore të LDK-së rreth sistemit shëndetësor.

Ndërkaq, Ardian Shala, nga departamenti për Shëndetësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka folur rreth programit të qeverisë për shëndetësinë, të cilin e ka quajt sipërfaqësor.

Shala: Është vërejtur një program shumë sipërfaqësor

“E kemi analizuar në hollësi programin qeveritar për vitin 2021-2025 dhe është vërejtur një program shumë sipërfaqësor. Në programin qeveritar nuk jepet asnjë e dhanë për buxhetin në shëndetësi për katër vjet rresht. Programi nuk jep asnjë masë konkrete për investime kapitale në sektorin e shëndetësisë, asnjë prioritet ku do të fokusohet pushteti për katër vite. Pa një plan për vaksinim, asnjë plan konkret për sigurimin e vaksinave e për vaksinimin e popullatës. Pa plan konkret për protokoll të vaksinimit gjatë vitit 2021, ku si pasojë e mungesës së këtij protokolli kemi ngjarje të sotme në sallën “1 tetori”. Këto ngjarje nuk duhet të ndodhin në Kosovë, njerëzit tanë nuk duhet të kenë një trajtim të tillë”, tha ai.

Shala tha se ka paqartësi për kohën e nisjes së mbledhjes së premiumeve për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe pa datë konkrete për nisjen e implementimit të Sistemit të Informimit Shëndetësor. Ai tha se në plan nuk ka asnjë masë për reformimin e SHSKUK-së dhe për decentralizimin e klinikave në SHSKUK.

Po ashtu, ai tha se programi qeverisës nuk jep asnjë të dhënë për përmbushjen e listës së barnave esenciale dhe për buxhetin e ndarë për këto barna.