Lajme

​Haziri: Alban Hyseni është edhe kryetari im, i premtova që roli ynë ka me qenë konstruktiv

12/09/2021 13:25
nga:M K

Pas tetë vitesh qeverisje me komunën, sot Lutfi Haziri dorëzoi mandatin tek kryetari i ri i Gjilanit, Alban Hyseni, për të cilin tha se do të jetë edhe kryetar i tij e të cilin do ta mbështesin.

Pas pran-dorëzimit të detyrës së kryetarit, Haziri u shpreh i lumtur për shërbimin e tij për 13-vite në Gjilan, në kohë të ndryshme. Me ç’rast ai uroi Hysenin duke thënë se ai tani do të jetë kryetari i tij.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që pas një shërbimi më shumë se 13-vite në Komunë të Gjilanit në kohë të ndryshme, sot po e përfundoj mandatin e dytë të rregullt dhe po e dorëzoj te kryetari i zgjedhur, tek kryetari i komunës sonë i cili ka me qenë kryetari i gjithëve duke përfshirë edhe kryetar i imi. Me realizimin e detyrave i uroj kryetarit Alban Hysenit shëndet mbi të gjitha lutem që ta përcjellë suksesi. Një angazhim i tij personal dhe i ekipit të tij në lidership në Gjilan nënkupton ecje para jo stagnim, ecje para në zhvillim, ecje para në prosperim. Unë edhe ashtu kam marrë tash rruge tjetër politike që do të jem në funksion prapë të angazhimit tim, por i sigurova edhe i premtova në të njëjtën kohë që roli jonë ka me qenë konstruktiv dhe mbështetja ka me qenë e sinqertë dhe angazhimi jonë politik ka me qenë mbi bazë interesit të qytetit të komunës”, ka thënë Haziri.

Në konferencën e përbashkët me, Hyseni u shpreh se Haziri është një prej figurave politike që është identifikuar Gjilani. Megjithëkëtë ai theksoi se për shkak t nevojës është momenti që të sillet një fryme dhe një politikë e re e lidershipit në Gjilan.

“Unë sapo kam pranuar detyrën e kryetarit të Gjilanit. Për mua është nder e kënaqësi e veçantë që pranimin dhe dorëzimin e detyrës e kemi bërë bashkë me kryetarin aktual të komunës që tash i uroj gjithashtu shëndet e shumë suksese në rrugëtimin e tij të vazhdueshëm në politikë. Zotëri Haziri është një prej figurave politike që është identifikuar Gjilani, Anamorava në te si lider i politikanëve. Ndërkaq tash në Gjilan edhe për shkak të nevojës edhe për shkak të kohës është momenti që të sjellim një fryme të re, një lloj politike të re të lidershipit në Gjilan”, ka thënë Hyseni.

Ndërkohë sot, Alban Hyseni dhe asamblistët e rinj u betuan gjatë ceremonisë se mbledhjes inauguruese.

Hyseni para asamblistëve u zotua se do të jetë kryetar i të gjithëve pavarësisht se cilës parti i takojnë.