Lajme

​Dallimet për Asociacionin bllokojnë dialogun

11/17/2021 16:07
nga:M K

Barikadimi në qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit kanë bllokuar sërish dialogun Kosovë-Serbi.

Dështimi i takimit në nivel kryenegociatorësh edhe sot në Bruksel po konsiderohet se ka vënë në pikëpyetje ecurinë dhe vazhdimësinë e dialogut gjatë këtij viti. Megjithatë, njohësit e procesit të dialogut, fajin për një bllokadë të tillë ia faturojnë Serbisë, pasi e njëjta ka vendosur kusht diskutimin për Asociacionin, ani pse negociatat edhe në raundet e kaluara për të zhdukurit me forcë dhe dëmet ekonomike nuk kanë përfunduar.

Njohësi i procesit të dialogut nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Arbër Fetahu, thotë se dështimi i takimit të djeshëm, dëshmon se dialogu edhe është i paqëndrueshëm dhe fragjil.

“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ende është i paqëndrueshëm në kuptimin të stabilitetit dhe përparimit të tij dhe hapjes së temave dhe ecjes përpara. Ndonëse kishim disa lëvizje muajt e kaluar, përsëri situata me dialogun është fragjile dhe palët ende janë shumë larg njëra-tjetrës me qëndrime në shumë tema dhe pozicione, siç u dëshmua edhe në takimin e fundit… Bllokimi i dialogut në këtë fazë nuk i bënë mirë asnjërës palë, marrë parasysh zhvillimet e fundit me marrëveshjen për targat. Ky bllokim i dialogut në këtë fazë është hap prapa dhe jo para”, thotë ai.

Megjithëse dështimin e takimit ia faturon Serbisë, profesori universitar, Dritëro Arifi thotë se ekzekutivi duhet të ketë një strategji më të qartë për dialogun, pasi vazhdimësia në këtë formë i konvenon fqinjit verior.

“Ne do të humbim shumë më shumë, e shikoni se ne jemi të izoluar, Serbia nuk është e izoluar në aspektin ndërkombëtar, ne jemi të izoluar. Nuk po mundemi të lëvizim, duhet të tregohemi në fleksibil, më të balancuar dhe më të koordinuar. Po vërehet se Qeveria e Kosovës s’ka strategji si t’i qaset dialogut, s’po dinë me u qas dhe cilat pikat t’i marrin parasysh dhe çka të kërkojnë nëse ato i marrin parasysh. Po shihet se nuk ka kreativitet dhe zgjuarsi si të ecim tutje, përndryshe Serbia këtë e pret, që ne të rrimë në një vend”, thekson Arifi.

Nga ana tjetër, Fetahu nga GLPS thotë se udhës ka qenë mbajtja e takimit trepalësh në Bruksel dhe vazhdimi i diskutimeve në parimin që mos të pajtohemi për asgjë, nëse nuk pajtohemi për gjithçka.

“Është mirë që ndërmjetësuesi, por edhe palët të shkojnë me parimin që të vazhdohet me diskutime dhe çështja e asociacionit të lihet në fundin e negociatave, qofte se shkohet. Duhet ndjekur parimi që mos të pajtohemi për asgjë, nëse nuk pajtohemi për gjithçka… Është mirë që këtë radhë bllokada nuk ka ardhur si arsye e Kosovës, por pala serbe ka vendosur kushtin për asociacionin. Pavarësisht se tema të reja janë negociuar edhe më herët për personat e zhdukur dhe dëmet ekonomike që janë trajtuar edhe raundet e kaluara. Besoj se ka qenë e udhës ta vazhdohet edhe më tutje që të vazhdohet në linjën e njëjtë të marrëveshjeve dhe argumenteve për të përfunduar çështje të caktuara”, shton Fetahu.

Në kuadër të rundit të dialogut Kosovë-Serbi, janë mbajtur takime të ndara bilaterale në nivel kryenegociatorësh me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas një komunikate zyrtare, zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, në takimin me Lajçak ka diskutuar për çështjen e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, rreth zhvillimeve të fundit, mbajtjes së takimeve të shpeshta të nëngrupeve punuese si dhe gërmimet dhe pranimin e mbetjeve mortore të viktimave të luftës të gjetura në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë.

Qeveria e Kosovës dhe veçmas kryeministri Albin Kurti vazhdimisht e potencojnë se Asociacion një etnik dhe me kompetenca ekzekutive nuk do të ketë në Kosovë.