Sporti

Ukrainasi Vlad Khomutov konfirmon largimin nga Dukagjini: Faleminderit Kosovë për mbështetjen, po largohem për shkak të problemeve financiare

07/04/2023 13:19
nga:Lorik J

Një javë para ndeshjes në kualifikimet e Conference League, skuadra e Dukagjinit mbetet pa një lojtar shumë me rëndësi.

Sulmuesi ukrainas, Vlad Khomutov ka vendosur të largohet nga ekipi i Dukagjinit pasi përfundoi kontrata e tij, shkruan GazetaBlic Sport.

Khomutov zbuloi ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’ se nuk do të jetë më pjesë e klubit kosovar dhe me shumë gjasë do largohet nga vendi ynë.

“Dua të falënderoj Kosovën, popullin tuaj, edhe shokët e skuadrës, që nga dita e parë në Kosovë, u ndjeva i mbështetur, takova shumë njerëz të mirë këtu. Falenderim të veçantë edhe për Armend Dallkun, vellain e tij Ardinin dhe Ahmed Januzin që më ndihmuan në pershtatje dhe gjithashtu mikut tim të madh Arbanis Maxhuni (fizioterapeuti), pasi ai u kujdes për shëndetin tim dhe më ndihmoi në çdo mënyrë që mundi”, tha fillimisht Vlad Khomutov për ‘GazetaBlic Sport’.

Ai më pas zbuloi se po largohet pasi i përfundoi kontrata dhe se kishte probleme financiare.

“Kontrata ime mbaroi më 30 qershor dhe dje pasi bisedova me trajnerin vendosa të largohem nga klubi për shkak të problemeve financiare. Ishte një vit i vështirë për mua, por dhashë gjithçka dhe falënderoj gruan dhe familjen time që më ndihmuan ta kaloja këtë”, zbuloi 25 vjeçari.

Në fund ai u shpreh i lumtur për sukseset që kishim me klubin nga Klina, teksa tha se momentalisht po shqyrton ofertat dhe është i hapur.

“Ne kemi bërë një rrugë të gjatë së bashku me Dukagjinin, kemi arritur për herë të parë në kualifikimet e garave evropiane (Conference League) dhe kemi treguar karakterin tonë me problemet që kemi pasur, se jemi një ekip i fortë, për këtë u jam mirënjohës të gjithëve. Tani dua të pushoj pak dhe do të shqyrtojmë të gjitha opsionet e mundshme për të vazhduar karrierën. Disa klube më kanë kontaktuar tashmë, por deri sa nuk mora një vendim përfundimtar nuk i shqyrtova, kështu që tani për tani jam i hapur për të gjithë”, përfundoi ai.

Kujtojmë se skuadra e Dukagjinit do ballafaqohet me FC Europa në fazës e parë kualifikuese të Conference League.

/GazetaBlic Sport