Lajme

Amerika ka paraqitur kërkesë për përjashtimin e Rusisë nga ky Këshill i OKB-së

03/01/2022 16:29
nga:Donika Fetahu

Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken dënoi abuzimet e Rusisë me të drejtat e njeriut dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar ndërsa kryen sulmin e saj ndaj Ukrainës, ai hodhi idenë e largimit të Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut gjatë një fjalimi para këshillit në mëngjesin e së martës.

“Me arsye mund të pyetet nëse një shtet anëtar i OKB-së që përpiqet të marrë nën kontroll një shtet tjetër anëtar të OKB-së – ndërkohë që kryen abuzime të tmerrshme të të drejtave të njeriut dhe duke shkaktuar vuajtje masive humanitare – duhet të lejohet të qëndrojë në këtë këshill”, tha Blinken.

Në këshill janë 47 shtete anëtare, të cilat zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ku Rusia është një prej tyre.

“Anëtarët e këshillit duhet të ndalojnë përdorimin e gjuhës që nënkupton se të gjitha palët mbajnë përgjegjësi të barabartë për sulmin e paprovokuar të njërës palë. Kjo nuk është e paanshme – është e gabuar – dhe dështon të vendosë përgjegjësinë aty ku i takon. E njëjta gjë vlen edhe për anëtarët që argumentojnë, në mënyrë të rreme, se denoncimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut po ‘politizon’ situatën”, tha Blinken.