Vetura e përdorur nga presidenti amerikan Joe Biden duket si shumë lloje të tjera të ngjashme, por në fakt është një lloj anije kozmike, shkruan agjencia Ansa.
Cadillac 1, e cila quhet edhe “Bisha”, është një lloj bunkeri me katër rrota sipas karakteristikave të saj. Është rezistuese ndaj një sulmi të mundshëm kimik, zjarrit dhe minave, falë një blindimi 13 centimetra të trashë.
Peshon tetë tonë e gjysmë dhe është bërë në mënyrë që të mos përmbyset në rast përplasjeje.
Cadillac 1 është i pajisur me një sistem të posaçëm drejtimi natën që mundëson lëvizje të sigurt me dritat e fikura, me shpejtësi “të plotë” dhe në errësirë të plotë.
Gomat janë të prodhuara nga një material i veçantë dhe janë rezistuese ndaj sulmit me raketa dhe janë bërë në mënyrë që nëse janë të papërdorshme në rast dëmtimi, makina të mund të vazhdojë lëvizjen.
Dritaret e veturës janë prej pesë shtresash, me trashësi totale 13 centimetra. Xhamat nuk mund të hapen, përveç atij pranë shoferit, por edhe atij jo më shumë se tetë centimetra.
Makina presidenciale ka një motor turbo-dizel prej 6600 metra kub, por për shkak të peshës së saj nuk mund të zhvillojë shpejtësi më shumë se 100 kilometra në orë.
Shpenzon një litër karburant çdo 500 metra, dhe rezervuari është prej materiali rezistues ndaj zjarrit.
Makina e presidentit të SHBA-së është e pajisur me një sistem elektronik dhe telefon satelitor të teknologjisë moderne, që i mundëson presidentit kontakt të vazhdueshëm, të drejtpërdrejtë me zëvendësin e tij dhe Pentagonin dhe kontrollin e potencialeve ushtarake dhe bërthamore të vendit.
Makina e fundit presidenciale i është dorëzuar shërbimit sekret amerikan në vitin 2018, në kohën kur president ishte Donald Trump.