Lajme

​Studentët kërkojnë që kisha në kampusin e UP të shndërrohet në muze: Aty të pasqyrohet gjenocidi serb

06/12/2021 07:15
nga:M K

Pankartat “Objekt i ngritur nga kriminelët”, “Stop nxitjes së urrejtjes”, “Jo shenja krimi në kampus”, e “Krimet e Millosheviqit dhe Arkanit nuk i falë askush”, dhe fotografi që tregojnë gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë, janë vendosur nga studentët në kishën ortodokse në oborrin e UP-së pas liturgjisë që është mbajtur dje në këtë objekt.

Përfaqësuesit e Parlamentit Studentor deklaruan se objekti i kishës në kampusin universitar është objekt i trashëgimisë së kriminelit Millosheviq dhe Arkanit dhe simbol i gjenocidit të kryer në Kosovës.

Kryetari i Parlamentit Studentor, Erblin Hoxha, tha se ky objekt ose duhet të largohet nga kampusi i UP-së ose të shpallet muze për pasqyrimin e gjenocidit serb mbi popullin e Kosovës.

Hoxha: Shpalleni muze për pasqyrimin e gjenocidit serb mbi popullatën shqiptare

“Ky objekt duhet të trajtohet si çdo objekt tjetër ilegal dhe të largohet nga kampusi universitar në pajtim me ligjin. Kërkojmë nga organet tona të rendit të mos lejojnë e as të japin leje kriminelëve të organizojnë provokime të tilla të fshehura nën petkun e liturgjisë, sepse janë të shtyra nga urrejtja dhe jo nga besimi. Toleranca fetare e kombit shqiptar, përkundër provokimeve, është shembullore dhe vlerë me të cilën ne të gjithë krenohemi. Prandaj, si studentë apelojmë tek institucionet e Republikës së Kosovës ose largojeni objektin ilegal dhe mos lejoni provokime nga askush në kampusin tonë ose shpalleni muze për pasqyrimin e gjenocidit serb mbi popullatën shqiptare dhe kulturocidit dhe dhunës ndaj hapësirave dhe objekteve të institucioneve të arsimit në Kosovë”, tha ai.

Ai u shpreh se nga institucionet e Kosovës kërkojnë lirimin e kampusit universitar nga simbolet e krimit të Millosheviqit dhe Arkanit.

Hoxha: Ky objekt nuk është kishë, por objekt trashëgimie e kriminelit Millosheviq dhe Arkanit

“Ky objekt nuk është kishë, por objekt trashëgimie e kriminelit Millosheviq dhe Arkanit, ky objekt është simbol iu fashizmit dhe gjenocidit të kryer në Kosovë. Ne përfaqësuesit e studentëve e kundërshtojmë edhe objektin ilegal edhe liturgjinë që përpiqet që ta rikthej memorien për ekzistencën e kësaj trashëgimie kriminale. Kundërshtojmë fuqishëm provokimin nga vijuesit e mendësisë së kreatorëve të këtij objekti, sepse kryen krime dhe gjenocid ndaj popullit të Kosovës, kundërshtojmë fuqishëm provokimin nga vijuesit e mendësisë së kreatorëve të këtij objekti, sepse ky provokim erdhi në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në ditën e fillimit të tërheqjes së forcave kriminale serbe nga Kosova dhe në prag të Ditës së Çlirimit të Kosovës. Nga institucionet e Republikës së Kosovës kërkojmë lirimin e kampusit universitar nga simbolet e krimit të Millosheviqit dhe Arkanit që me këtë objekt gjoja sakral nuk e kishin për motiv promovimin e paqes dhe fjalës së zotit por urrejtjen, dëbimin masiv dhe gjenocidin kundër shqiptarëve”, tha ai.

Kundër mbajtjes së liturgjisë në objektin e kishës ortodokse aksion ka mbajtur sot edhe Partia Socialdemokrate.