Lajme

​Procesi zgjedhor në Rahovec po kalon pa probleme

10/17/2021 18:37
nga:M K

Në Komunën e Rahovecit po vazhdon procesi zgjedhor dhe nuk raportohet për parregullsi ose incidente serioze.

Deri në orën 15:00 kanë votuar 13 mijë e 559 votues, ndërsa numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 57 mijë e 618.

Menaxheri i qendrës së votimit në shkollën fillore “Bekim Sylka” në Rahovec, Shani Haxhi Mustafa, tha se procesi i votimit po ecën mbarë dhe se nuk janë shënuar parregullsi.

“I ka katër vendvotime, përndryshe hapja është bërë me kohë në 07:00 dhe nuk ka pasur asnjë problem. Qysh në mëngjes kanë filluar të vijnë votuesit dhe nuk ka pasur asnjë parregullsi. Megjithatë dalja deri në 15:00 është diku 25% që gjithsej kjo qendër i ka diku 4101 votues dhe pas orës 16:00 situata është përmirësuar jashtëzakonisht shumë dhe ardhja ka qenë jashtëzakonisht më e madhe,” ka thënë Mustafa.

Ndërkohë janë pesë kandidatë për kryetar të kësaj komune: Smajl Latifi nga AAK, Visar Korenica VV, Burim Krasniqi LDK, Xhafer Bytyqi kandidat i pavarur dhe Bejtullah Deliu nga PDK.