Lajme

​Nga 70 mostra pozitive të dërguara për analizë në Gjermani, 12 raste rezultojnë me variantin ‘delta plus’

11/10/2021 14:45
nga:M K

Ministria e Shëndetësisë informon se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka pranuar rezultatet për mostrat e dërguara në dërgesën e pestë për sekuencionim përmes projektit ECDC në Eurofin Genomics, Gjermani.

Nga 70 mostra, të dërguara ditë më parë për sekuencionim përmes projektit të ECDC në laboratorët Eurofin, Gjermani, sekuencionimi është bërë në 59 raste, prej të cilave në 12 raste (20.33%) është detektuar varianti Delta Plus (AY.4-like) dhe në 47 raste është detektuar varianti delta (79,66%),

IKSHPK planifikon që të hënën më 15.11.2021 të dërgojë mostrat e tjera pozitive me SARS-CoV-2 të mbledhura gjatë dy javëve të fundit, përmes të njëjtit projekt, me qëllim të mbikëqyrjes virologjike të varianteve të SARS-CoV-2 në qarkullim në Kosovë.

Situata me COVID-19 në Kosovë, sipas analizës së situatës epidemiologjike me COVID-19 paraqet rënie të numrit të rasteve për 19.11% krahasuar me dy javët e fundit. Gjithashtu edhe trendi i rasteve të vdekjeve të raportuara nga SHSKUK dhe spitalet që trajtojnë pacientët me COVID-19.

Ekipet e IKSHPK po hulumtojnë dhe gjurmojnë pandërprerë të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve, detektimin e hershëm të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut për variantin e ri Delta PLUS.

Pasi që janë detektuar 12 raste SARS CoV-2 varianti AY.4-like delta plus në Kosovë (20.33%), edhe-pse varianti delta akoma është dominant (79.66%), ekziston rreziku i përhapjes së shpejtë të variantit të ri delta plus.

Duke pasur parasysh akoma numrin e lartë të personave aktiv që mund të bartin infeksionin dhe të panjohurat për shpërndarjen e shpejtë të COVID-19, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithëve që t’i zbatojnë vendimeve të fundit të Qeverisë dhe të bëhet monitorimi i vazhdueshëm i masave me një dinamikë të shtuar të kontrollit nga ana e Inspektorateve dhe Policisë së Kosovës për të pasur efekt në uljen e lakores epidemiologjike dhe në uljen e numrit të vdekjeve.

Gjithashtu, i bëhet thirrje qytetarëve që ende nuk janë vaksinuar që ta bëjnë këtë sa më parë me qëllim të mbrojtjes nga secili variant i SARS-COV-2 dhe arritjen sa më të shpejtë të imunitetit me vaksinën kundër COVID-19 duke u vaksinuar plotësisht.