Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas emërimit të gjeneralmajor Bashkim Jasharit në krye të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas largimit të Rrahman Ramës.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se ushtrisë që i shërben popullit, i duhet ushtari me zemrën plot dashuri për atdheun, ushtari që të përbashkëtën e vetëmohimin i lartëson në detyrën që i besohet, ushtari që të ardhmen e sheh përmes idealit të dëshmorit.
“Të gjitha këto vlera i zotëron gjeneralmajori Bashkim Jashari, nipi i komandantit legjendar, i kryekomandantit Adem Jashari. E, nga sot ai është komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ushtria jonë është e re, por me pjekuri të thellë e histori të lavdishme. Vazhdimësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës, është shtylla jonë e fortë mbi gurthemelin e Republikës”, shkruan Kurti.
Kurti ka uruar Jasharin për punë të mbarë në detyrën e tij të re, ndërsa gjenerallejtënant Rrahman Ramën e falënderoi për kontributin e tij dhe po ashtu i dëshiroi suksese në angazhimin e mëtutjeshëm si përfaqësues në RACVIAC.
Ndryshe, komandanti i deritanishëm i FSK-së Rrahman Rama ka ofruar sot dorëheqjen nga posti i tij. Presidentja Vjosa Osmani ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës.