Lajme

​Komunat gati për vaksinimin masiv anti-COVID, MSh angazhon 422 infermierë shtesë

06/12/2021 13:46
nga:M K

Autoritetet shtetërore të shëndetësisë̈ nga 15 qershori kanë paralajmëruar vaksinim masiv kundër COVID-19.

E për t’u realizuar ky proces të gjitha komunat tashmë kanë bërë përgatitjet e nevojshme dhe deklarojnë se janë gati për vaksinimin në masë. Krahas ekipeve mjekësore autoritetet komunale kanë përgatitur edhe hapësirat ku do zhvillohet procesi i imunizimit e që kryesisht janë përzgjedhur salla kulturore dhe sportive.

Në Prishtinë procesi i imunizimit masiv do të vazhdojë në sallën “1 Tetori”.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Rrezart Halili thotë për KP se tanimë kanë bërë trajnimin e profesionistëve shëndetësorë dhe se i kanë dakorduar planet me MSh-në dhe IKSHPK-në në mënyrë që ky proces të realizohet pa telashe.

“Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me MSh-në edhe IKSHPK-në i ka bashkërenduar të gjitha forcat që më 15 qershor kur të fillon vaksinimi masiv të kryhet në mënyrën më të mirë. E dimë që edhe në MSh është hapur një konkurs për staf shtesë me qëllim që të mobilizohemi të gjithë dhe të ofrohet një shërbim cilësor…

Një numër i madh i stafit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare janë trajnuar në këtë aspekt të ofrimit të shërbimeve për imunizimin për COVID-19. Besoj që me ndihmën e MSh dhe me ekipet që janë në dispozicion momentalisht dhe që ndoshta do të nevojiten me kohë varësisht nga interesimi i qytetarëve me imunizim do t’ia të ofrojmë një shërbim cilësor”, u shpreh Halili.

Krahas kryeqytetit përgatitjet e nevojshme për fillim të procesit të vaksinimit masiv janë bërë edhe në komunën e Mitrovicës Jugore.

Mjekja Shefkate Sylejmani, shefe e sektorit të vaksinimit në Mitrovicë, thotë se me 12 ekipet sa i kanë në dispozicion do t’ia dalin.

Sylejmani thotë se aktualisht janë të pajisur vetëm me tipin e vaksinë anti-COVID, Pfizer.

Shefja e sektorit të vaksinimit në Mitrovicën Jugore thotë se brenda ditës po vaksinohen deri në 200 persona.

“Jemi munduar maksimalisht që t’i bëjmë përgatitjet për startimin e vaksinimit në masë…Mendojmë se me 12 ekipe do t’ia dalim…Pjesën teknike veç kemi arritur ta rregullojmë, vaksinimi bëhet këtu në Qendrën e kulturës, ku ambienti është i përshtatshëm…

Aktualisht kemi vaksina sa kemi kërkuar, do të thotë për pesë ditë…Zakonisht 200 (vaksina) marrim brenda një dite, do të thotë gjithsej 1 mijë vaksina, nuk marrim më tepër…Nga Ministria e Shëndetësisë jemi njoftuar që përmes platformës E– Kosova, prej moshës 18 vjeçare mund të aplikojnë të gjithë personat që kanë sëmundje kronike. Momentalisht kemi vaksinën e Pfizer-it, të cilën më tepër po e adhurojnë popullata”, u shpreh ajo.