Lajme

​Infermierëve u garantohet se Ligji për paga miratohet në fillim të vitit të ardhshëm

12/02/2021 16:09
nga:M K

Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka marrë premtimin nga ana e Komisionit për Shëndetësi se Ligji i pagave do të shkojë në Kuvend në fillim të vitit të ardhshëm. Po ashtu, ata janë siguruar se do të ketë ndryshim të koeficientit për infermierët sipas kërkesës së tyre.

Këto i ka bërë të ditura, kryetari i Shoqatës së Infermierëve, Përparim Berisha, pas takimit që ka pasur sot me kryetaren e Komisionit për Shëndetësi Fatmire Kollçaku dhe deputetin Mirsad Shkreta.

Berisha tha se ata kanë marrë garanci se gjatë vitit 2022 do të fillojë implementimi i Ligjit të pagave.

“Diskutuam për mundësinë e prurjes së Ligjit të pagave në Kuvend, ata na garantuan që Ligji i pagave do të fillojë të vijë në Kuvend në fillim të vitit të ardhshëm dhe gjithashtu do të fillojë edhe implementimi i tij gjatë vitit të ardhshëm. Po ashtu, na garantuan që koeficientët diskriminues të cilët i rrëzoi Gjykata Kushtetuese nuk do të jenë ata, po do të jenë sigurisht më të lartë ashtu siç kemi kërkuar ne”, tha ai.

Nënkryetari i Shoqatës së Infermierëve, Enlirat Duraku, tha se nëse nuk do të mbahet premtimi për ndryshim të koeficientit për infermierët atëherë do të ndërmarrin veprime sindikale.

“Ne si Sindikatë nuk e kemi mbështetur asnjëherë protestën, as grevën e organizatave të tjera, të cilat për qëllim e kanë pasur vetëm presionin për ta buxhetuar ligjin aktual, e qysh e potencova është në koeficientët e kaluar, të cilët për ne janë të papranueshëm. Andaj për momentin ne nuk kemi asnjë masë apo veprim sindikal, në qoftë se ndodh e kundërta apo pranohet, nënshtrohen institucionet ndaj presionit të organizatave të tjera që të kalojë ky ligj me këtë koeficient ofendues për neve atëherë që në Këshillin Drejtues dhe në Kryesi do të dakordohemi për masat dhe veprimet sindikale, që ju sigurojmë që nuk do t’i kursejmë”, tha ai.

Ditëve të fundit Sindikata të ndryshme kanë protestuar e kanë paralajmëruar edhe greva nëse nuk do të miratohet Ligji i pagave.