Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka mbajtur sot dëgjimin e parë publik mbi nismën legjislative “Projektligji për kriptovaluta”. Derisa nga Banka Qendrore e Kosovës kanë theksuar rrezikshmërinë që mund të bartin kriptovalutat, anëtarë të komisionit kanë potencuar se nuk kanë për qëllim cenimin e këtij aktiviteti.
Kryesuesja Mimoza Kusari-Lila tha se shteti duhet të ketë informacion në lidhje me këtë inovacion, por jo me qëllimin që të cenohet ky aktivitet.
“Duke parë këtë trend dhe këtë interesi, jemi bërë bashkë anëtarët e komisionit për Ekonomi, kemi ndërmarrë nismën ligjore dhe tash ky është hapi i parë në të cilin ne dëgjojmë opinionet tuaja, të gjitha kërkesat tuaja, natyrisht problemet dhe sfidat që keni pasur në proces të tregtimit me kriptovaluta apo me procesin e mining (minim). Për shtetin apo Qeverinë e Kosovës, për gjithë ne që jemi pjesë edhe e legjislacionit është e rëndësishme të mos cenojmë aktivitetin në rast se aktiviteti sjell në pah fitimet për kompanitë, por gjithashtu e nxit inovacionin. Por, gjithashtu që shteti të ketë një informacion të saktë ashtu siç bëhet në të gjitha shtetet tjera, ku ky sektor është rregulluar me rregullore apo ligje”, tha ajo.
Kusari-Lila ka folur edhe për rrymën në veri, ku theksoi se kriptovalutat janë bërë të njohura në Kosovë, kur u diskutua konsumi i energjisë elektrike në veri të vendit.
“Fatkeqësisht, kriptovalutat u bënë të njohura për opinionin publik në Kosovë, kur u diskutua konsumi i energjisë elektrike në veri të Kosovës. Kur e mori vëmendjen e opinionit publik në masë të madhe, ishte koha kur diskutohej se pse prej vitit 2018 kishte filluar në mënyrë eksponenciale rritja e shpenzimit, konsumit me energji elektrike në komunat në veri. Gradualisht erdhën dhe u formuan informacione që treguan se katër komunat në veri të Kosovës, për faktin se që nga periudha e pasluftës nuk janë pjesë e sistemit të pagesave, të faturimit, kanë shërbyer si incentivë për palët të cilat janë angazhuar në procesin e mining të lëvizin makineri në veri”, ka thënë Kusari-Lila.
Zëvendës-guvernatori i BQK-së, Sokol Havolli theksoi se kripto-asetet mund të bartin rrezikshmëri të lartë.
“Rreziqet e mëdha mund të sjellin përfitime të mëdha. Në anën tjetër nuk ka një mekanizëm, i cili garanton qëndrueshmërinë dhe garanton mbi stabilitetin apo kontinuitetin e ekzistencës së këtyre aseteve. Luhatjet tejet të larta mund të sjellin humbje të parikuperueshme. Si BQK kemi vlerësuar që bartin rrezikshmëri të lartë, për arsye se deri më tani të gjitha zhvillimet në kontekstin e kripto-aseteve kanë qenë vetëm subjekt i spekulimeve dhe jo i ndërtimit të një baze të asaj që quhet vlera përbërëse i një aseti”, u shpreh ai.
Ndërsa, drejtori i Këshillit të Investitorëve Evropian, Emrush Ujkani tha se rekomandojnë që të bëhet një draft konform standardeve të BE-së.
“Në shtator të vitit të kaluar, BE ka iniciuar rregullore me të cilën synon të rregullojë kripto asetet e jo kriptovalutat, pra ndryshon edhe emërtimi. Ajo është draft rregullore, e cila është në qarkullim mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian, nuk ka një miratim ende. Në bazë të informatave të fundit që kemi, është një deklaratë e përbashkët e nënshkruar dhe pritet të merr edhe miratimin e përbashkët në institucionet vendimmarrëse, Këshill të Evropës dhe Parlament së paku para fundit të këtij viti”, tha ai.
Inxhinieri Ermal Sadiku në këtë dëgjim publik ka vënë theksin se qytetarët nuk dinë se çka është kriptovaluta dhe si të mbrohen nga keqpërdorimet.
“Kam pasur raste kur më kanë ndal njerëzit në rrugë edhe më kanë thënë ‘Ermal, e kemi shit veturën, e kemi shit këtë edhe e kemi shti, por i humbëm krejt, duke të dëgjuar ty. Po më duket se ata nuk më dëgjonin, po më shikonin që është gabim. Unë kurrë nuk i kam thënë dikujt të investojë në kriptovaluta, nuk i them as sot. Shumica e njerëzve nuk e dinë çfarë është kriptovaluta, sepse nuk e dinë si funksionon. Bitcoini si koncept nuk ekziston, ekzistojnë disa transaksione që pastaj ne në prapavijë i shohim, por në realitet nuk funksionon”, tha ai.
Në diskutimin e sotëm publik të Komisionit për Ekonomi pati edhe pjesëmarrës të tjerë që shprehën qëndrime rreth kësaj çështjeje.