Lajme

“​Facebook” punësoi të huajt në dëm të amerikanëve, do të paguajë gjobë 14.24 milionë dollarë

10/19/2021 23:39
nga:M K

Facebook ra dakord sot të paguajë 14.24 milionë dollarë për të ndaluar ndjekjen penale të autoriteteve amerikane që e akuzojnë për ndarjen e disa punëve të paguara mirë për shtetasit e huaj, në dëm të qytetarëve amerikanë dhe banorëve me leje qëndrimi të përhershëm.

Departamenti i Drejtësisë ngriti një padi në fund të vitit 2020, duke thënë se rrjeti social kishte ndërtuar qëllimisht një sistem punësimi që pengonte amerikanët e aftë të mësonin për punë të caktuara dhe të konkurronin, për shembull, duke mos pranuar kandidaturat në internet.

Kompania e Mark Zuckerberg në fakt i mbajti ato punë për punonjësit që tashmë punonin në të me një vizë të përkohshme dhe donin të merrnin një leje qëndrimi, thotë ministria.

Në fillim të vitit, Ministria e Punës hapi një hetim mbi politikën e punësimit të kompanisë.

“Facebook nuk është mbi ligjin dhe duhet të respektojë të drejtat civile që zbatohen në vendin tonë,” tha zëvendës kryeprokurorja Kristen Clarke.

Në një mesazh të lëshuar të martën, kompania pretendon se ka respektuar rregullat, por se ka arritur një marrëveshje për të ndaluar ndjekjen penale.

“Kjo do t’i lejojë Facebook-ut të vazhdojë të përqendrohet në punësimin e punëtorëve më të mirë, qofshin ata nga Shtetet e Bashkuara ose nga bota, dhe të mbështesë mbajtësit e vizave (të tij) me kualifikim të lartë që duan një leje qëndrimi të përhershëm,” tha një zëdhënëse e kompanisë.

Marrëveshja e arritur me Departamentin e Drejtësisë parashikon një gjobë prej 4.75 milionë dollarë dhe pagesën prej 9.5 milionë dollarë për viktimat e mundshme të “diskriminimit” për shkak të shtetësisë ose statusit të tyre të imigrimit.