Lajme

​Afro 24 mijë maturantë nesër i nënshtrohen provimit të Maturës shtetërore

06/25/2021 09:48
nga:M K

Afër 24 mijë maturantë nesër do t’i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore. Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit të testimit.

Provimi i maturës shtetërore do të mbahet në 177 qendra testimit, ndërsa maturantët do të kenë 100 pyetje nga katër lëndë. Edhe këtë herë provimi i maturës shtetërore do të organizohet në një ditë të vetme dhe për të kaluar këtë testim maturantët duhet të kenë të paktën 40 përgjigje të sakta.

Shefi i divizionit për vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Fatmir Elezi, thotë se tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e këtij testimi.

“Testi i Maturës mbahet më 26 qershor, ditën e shtune. MASHTI i ka bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e këtij testi, janë caktuar administratorët e testit në koordinim me drejtoritë komunale janë caktuar komisionerët dhe mbikëqyrësit e testit…Këtë vit maturën e kanë paraqitur diç më pak se 24 mijë maturantë, janë 177 qendra të testimit në të gjithë territorin e Kosovës”, thotë ai.

Për mbarëvajtjen e Provimit të Maturës Shtetërore do të kujdesen 550 komisionerë dhe në një klasë nuk do të jenë më shumë se 15 nxënës.

“Në qendër të testimit është një përfaqësues i MASHTI-t, dy nga drejtoritë komunale të arsimit dhe janë dy mbikëqyrës…Në nivel vendi janë diku rreth 550 komisionerë, 550 mbikëqyrës. Përpos tyre është edhe një vëzhgues në çdo qendër i cili bënë vëzhgimin e mbarëvajtjes së testit…Shumica e klasave i kanë nga 12 nxënës, maksimalisht janë 15 nxënës në një klasë, varësisht prej hapësirës që janë në shkolla”, thotë ai.

Elezi bëri të ditur se maturantët do të kenë 100 pyetje nga lëndët gjuhë shqipe, gjuhë angleze, matematikë dhe një lëndë të cilën e zgjedhin vet maturantët.

Duke qenë se mësimi është mbajtur në kushte të pandemisë dhe mësimi është mbajtur me orar të shkurtuar e herë edhe online, Elezi thekson se kanë pasur parasysh që në test të mospërfshihen ato njësi që nuk janë mësuar nga nxënësit.

Provimi i maturës shtetërore edhe këtë herë ka kriter kalueshmërie, ku maturantët duhet të kenë të pakën 40 përgjigje të sakta në mënyrë që të kalojnë testin.

“Edhe këtë vit sikurse vitin e kaluar kemi vendosur që testi të organizohet vetëm në një ditë, do të thotë edhe lendet e përgjithshme edhe lënda me zgjedhje janë në të njëjtën ditë me gjithsej 100 pyetje. Janë katër lëndë, tri lëndë të përgjithshme, gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë dhe një lëndë që e zgjedh vet nxënësi. Të gjitha lëndët i kanë nga 25 pyetje… Kriteri i kalimit është i përcaktuar në Ligj, 40 përqind të totalit të testit, do të thotë për të kaluar testin nxënësi duhet të ketë të sakta 40 pyetje nga 100 pyetjet… Hartuesit e pyetjeve e kanë pasur atë informatë dhe janë përpjekur që mos të përfshihen material që nuk është mësuar këtë vit. Do të thotë përmbajtjet janë prej klasës10, 11 dhe 12, kështu që do të bien pyetje që nxënësit veç i kanë mësuar gjatë procesit mësimor”, thotë Elezi.

Me qëllim të parandalimit të çfarëdo keqpërdorimi, Elezi thotë se nxënësit nuk do të lejohen që në qendër të testimit të futen me telefona. Në raste se dikush zihet me telefon gjatë kohës së testimit, ai thotë se i njëjti do të përjashtohet nga testimi.

“Çdoherë e kemi thënë që telefonat janë të ndaluar në qendër të testimit, tash e kemi bërë me dije që nëse nxënësi vjen në qendër me telefon ngase me ligj dhe në rregulloren që e kanë marrë vet nxënësit ju shkruan qartë që në ditën e testit duhet ta kenë vetëm një laps dhe një shishe ujë, asnjë mjet tjetër, e as telefona. Do të thotë ata fare nuk kanë të drejtë ta marrin telefonin me vete, nëse rastësisht administratori e vëren që një nxënës e ka telefonin në klasë edhe nëse nuk e përdor fare duhet ta largojë nga testi. Është mirë që fare atë ditë të mos vijnë me telefona në qendra të testimit”, shprehet ai.

Shefi i divizionit për vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Fatmir Elezi, thotë se edhe masat mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19, do të respektohen në secilën qendër testimi.

Ndërsa, sa i përket rezultateve nga ky testim, ai shprehet se nuk presin të ketë ndonjë ndryshim nga vitet paraprake, përkundër që mësimi është zhvilluar në kushte të pandemisë.

“Në testin e arritshmërisë e kemi vërejtur se nuk ka pasur dallime shumë të mëdha prej viteve paraprake, kështu që presim një rezultat të ngjashëm me vitet paraprake”, thotë ai.

Rezultatet e provimit të maturës shtetërore do të publikohen më 5 korrik nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.