Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dalë me detaje lidhur me gjendjen e krijuar si pasojë e shpërthimeve të zjarreve.
Ai në një postim në Facebook ka bërë të ditur se aktualisht ka 13 vatra zjarri në të gjithë vendin.
Vatrat e zjarrit janë në Gadishullin e Karaburunit, ku nuk ka rrezik banesash, Shkodër, në fshatin Cukal, po ashtu nuk ka rrezik banesash, në Fushë-Arrëz e cila paraqet rrezikshmëri për kalimin në zona të banuara dhe është dërguar edhe një mjet helikopter për mbështetje nga ajri.
Vatra e zjarrit vazhdon në Gjirokastër, përkatësisht në luginën e Lunxhërisë, por fatmirësisht nuk ka rrezik për banesat, ndërkohë që forcat e FA dhe të tjera janë angazhuar në shuarjen e zjarrit nga toka.
Vatra e zjarrit është e pranishme në kodrën e pishave në fshatin “Arshi Lengo”, po punojnë të gjitha forcat operacionale dhe një mjet helikopter.
Vatrat e tjera të zjarrit përfshijnë bashkinë Tepelenë, pyllin e fshatit Shetaj, në bashkinë Durrës, fshati Manskuri, Dibër, fshati Lukan, në bashkinë Mallakastër, Elbasan, fshati Shelcan. Në të gjitha këto lokacione nuk ka rrezik për banesat.
Ndërkohë janë fikur zjarret në Vendreshë të Skraparit dhe Çorovodë, në fshatin Zogas.