Lajme

Statovci i reagon Hotit për sulmet ndaj Osmanit: LDK po sulmon institucionin e Presidencës

12/15/2025 14:45
nga:Genita C

Kandidatja për deputete nga Lista GUXO, Jeta Statovci, ka reaguar ndaj kritikave të LDK-së, të bëra përmes Avdullah Hotit, ndaj Presidentes Vjosa Osmani, raporton GazetaBlic.

Ajo ka thënë se sulmet janë irracionale dhe se LDK ende po vuan pasojat e përjashtimit të Presidentes nga kjo parti para pesë vitesh.

Statovci ka theksuar se vizita e Presidentes në Mitrovicë është pjesë e rolit të saj kushtetues dhe nuk përbën ndikim partiak, duke shtuar se nëse LDK ka probleme me GUXO-n, duhet t’i drejtohet partisë dhe jo institucionit të Presidencës.

Postimi i plotë:

LDK përmes Avdullah Hotit paska vazhduar sulmet irracionale ndaj Presidentes Vjosa Osmani. Si duket, LDK nuk po del dot nga pasoja që i ka shkaktuar vetes 5 vite më parë, kur përjashtuan figurën më të fuqishme politike, pikërisht Presidenten.

Çfarë mëkati qenka që Presidentja e shtetit, të vizitoj një Kryetar komune? Për më tepër që, të gjithë e dimë çfarë rëndësie ka Mitrovica për sigurinë, bashkëjetesen dhe stabilitetin e Kosovës.

Presidentja Osmani ka vizituar edhe më parë këtë qytet, edhe kur Kryetar në Mitrovicë nuk ka qenë Faton Peci. Por, LDK reagoi menjëherë e me panikë kur u vizitua Faton Peci, e kuptueshme me çfarë motivi.

Nëse Partia GUXO është thembra e Akilit të LDK-së, le t’i reagojnë partisë, jo Presidentes, e cila, apsolutisht ka kryer rolin e saj kushteutes, dhe apsolutisht, nuk ka ushtruar kurfarë ndikimi partiak.

Nëse LDK ka problem me atë se çfarë aktiviteti politik do bëj Presidentja Osmani pasi t’i ketë mbaruar mandati, këtë traumë nuk mund t’ia heqim ne, por të paktën, të mos sulmojnë institucionin më serioz të Republikës, atë të Presidencës.