Lajme

Zbulohet lista me emrat e kandidatëve për guvernatorë të BQK-së, në garë edhe nipi “i famshëm” i Besnik Bislimit

01/24/2023 15:54
nga:N M

Postin e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), po e synojnë hiq më pak se 14 kandidatë. Gazeta Infokus nga burime brenda BQK-së e ka siguruar listën e plotë me emrat që janë përzgjedhur në rrethin e ngushtë për intervistim.

Sipas këtyre burimeve të Gazetës Infokus sot ka nisur edhe intervistimi i tyre. Në garë përveç guvernatorit aktual, Fehmi Mehmeti, janë edhe disa emra të njohur që kanë qenë pjesë e BQK-së.

Ndër ta është edhe Shkendije Himaj, zyrtare e lartë për 18 vite në BQK, Nexhat Kryeziu, anëtar i Bordit të BQK-së, dhe Emanuel Bajra i cili jeton në Londër me një aktivitet pothuajse 10 vjeçar si bankier në këtë vend.

Mirëpo pjesë e kësaj liste është edhe nipi i Besnik Bislimit, Gëzim Tosuni, i cili u bë i famshëm pasi e emërua në Këshillin Shtetëror të Cilësisë, si anëtar për të monitoruar punën.

Mirëpo përveç punësim në baza familjare për shkak të afërsisë që Tosuni kishte me zv. kryeministrin e parë të vendit, kjo pozitë që iu dha atij paraqiste edhe konflikt interesi.

Për këtë kishte raportuar Gazeta Infokus, vitin që lamë pas, dhe arsyeja pse ky post që iu dha “nipit të famshëm” paraqiste edhe konflikt interesi ishte për shkak se në të njëjtën kohë ai po mbante edhe pozitën e anëtarit të Bordit për nostrifikim të diplomave në Ministrinë e Arsimit.

Tosuni qe bërë objekt i polemikave kur ishte propozuar e më pas edhe votuar në Kuvend për anëtar të KSHC-së. Për të u tha se ishte nip i zëvendëskryeministrit, Bislimi, gjë të cilën e pati mohuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ndonëse as ajo vetë nuk arrinte ta shpjegonte se çka ishin ndërmjet vete Tosuni e Bislimi.

“Ashtu, diçka ngjashëm siç ka thënë Albini që e ka Glaukun. Dmth as djalë i dajës, as i hallës, as nip e as motër”, pati thënë Nagavci, me çka edhe pati nxitur të qeshura në Kuvend.

Por kulmin ia pati vënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila pati deklaruar se kur e ka pyetur Bislimin se çfarë e ka Tosunin, Bislimi i paska pas thënë se në këto 50 vjet ndoshta mund ta ketë takuar njëherë. Ndwrsa, Tosuni është nën moshën 50 vjeçare.

Gazeta Infokus nga këto burime po ashtu ka mësuar edhe se, Emanuel Bajra, njwri nga kandidatët me përvojë 10 vjeçare si bankier në Londër, është eliminuar nga gara, e arsyetim për këtë ka qenë mos nostrifikimi i diplomës. Sot janë intervistuar një pjesë e madhe e kësaj liste ndërsa nesër pritet të intervistohet pjesa tjetër.

Kjo është lista e plotë me emrat e 14 kandidatëve e siguruar nga Gazeta Infokus:

Fehmi Mehmeti
Shkendije Himaj,
Nexhat Kryeziu,
Emanuel Bajra,
Mentor Nimani,
Bezad Halilaj,
Artan Ajazaj,
Valdrin Krasniqi,
Mentor Geci,
Genc Rraci,
Ardian Uka,
Ahmet Ismaili,
Lulzim Ismajli,
Gëzim Tosuni