Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen gjatë vizitës së saj në Tiranë ka zhvilluar takime me drejtuesit kryesorë politikë por ajo që vihet re sërish është shmangia e kreut të PD Sali Berisha.
Në axhendën e takimeve nga ana e PD ka qenë deputetja Jorida Tabaku.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku ka dhënë detaje nga biseda duke e prezantuar senatoren si nismëtare e Ligjit për Mbështetjen e Luftës kundër Korrupsionit në Ballkanin Perëndimor.
“Kënaqësi takimi me @SenatorShaheen, anëtare e KPJ në Senat dhe njëkohësisht kryetare e nënkomisionit të Europës. Njohëse shumë e mirë e çështjeve të Ballkanit Perëndimor & një senatore me eksperiencë në çështjet e politikës së jashtme.
Nismëtare e Ligjit për Mbështetjen e Luftës kundër Korrupsionit në BP. Duke forcuar edhe më shumë zhvillimin ekonomik dhe sigurinë në rajon.
Një nga zërat më të fortë të rritjes së pranisë së SHBA në rajon në fushën e investimeve dhe projekteve të qendrueshme ekonomike! @pdshqiperi s’ka aleat më të besueshëm e mbështetës se SHBA! Shqipëria në NATO dhe rrugëtimi për në BE janë realitet prej mbështetjes së saj! Prandaj mirëpresim çdo ndihmë në fushën e sigurisë kibernetike dhe padyshim zhvillimit teknologjik dhe energjitik të vendit”, shkruan Tabaku.


