Lajme

Zyrtarizimi i emisarit të ri për dialogun Kosovë-Serbi- Deklarohen nga Brukseli!

01/24/2025 17:25
nga:Y I

Këshilli i Bashkimit Europian të hënën e ardhshme do të miratojë vendimin e Përfaqësuesës së Lartë të bllokut, Kaja Kallas, për emisarin e ri të dialogut Kosovë-Serbi.

Emri i tij ende nuk dihet zyrtarisht, megjithatë në media u raportua se do të jetë diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen.

Këshilli Europian në një përgjigje për Express ka konfirmuar që në mbledhjen e të hënës që po vjen Këshilli i Punëve të Jashtme të BE-së pritet që të konfirmojë të zgjedhurin e Kaja Kallas për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi meqë Përfaqësuesit Special aktual, Miroslav Lajçak, i përfundon mandati në fund të këtij muaji.

“Ky vendim pritet të miratohet nga Këshilli i Punëve të Jashtme të hënën e ardhshme. Ne do të lëshojmë një për shtyp në atë kohë”, ka thënë KE në përgjigje.

REL sot gjatë raportoi se diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, është konfirmuar nga ambasadorët e Bashkimit Europian për postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Më herët Këshilli Europian pati konfirmuar çështja e emisarit të ri për dialogun është në shqyrtim nga vendet anëtare, por se nuk kishin zbuluar se emri i kujt po shqyrtohet.

Këshilli i Punëve të Jashtme përbëhet nga ministrat e jashtëm të të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

Mbledhjet e tij drejtohen nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Sigurisë.

Së fundi ishin përmendur edhe diplomatë nga Finlanda si zëvendësues potencialë të Lajçakut. Ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, ishte ndër të përfolurit, por Finlanda në një përgjigje më herët për Express kishte mohuar një nominim zyrtar për të.

Ndërkaq, diplomati danez Sorensen aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.

Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.

Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.

Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve, shkroi REL, se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.