Lajme

Zyrtari policor thotë se i akuzuari mori 110 euro nga e dëmtuara për rastin e saj në gjykatë

10/26/2022 17:42
nga:G B

Në cilësinë e dëshmitarit zyrtari policor, Nexhat Gashi deklaroi se i akuzuari Isa Jashari kishte marrë 110 euro nga e dëmtuara L.I. Këtë deklarim ai e bëri në rastin e  rigjykimit ndaj të lartcekurit, zyrtar policor i akuzuar për marrje ryshfeti.

Dëshmitari Gashi këtë pohim dha kur u pyet nga prokurori Bashkim Zeqaj, duke shtuar se parat e marra i  akuzuari Jashari i kishte marrë me qëllim që të ndikoj në rastin që e dëmtuara L. kishte në gjykatë për besimin e fëmijës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht pyetje ndaj dëshmitari Gashi parashtroi i akuzuari Jashari, dhe në përgjigjen e tij dëshmitari tha se nuk e ka dërguar të dëmtuarën L. në Inspektoriatin Policor por vetëm e ka udhëzuar që të shkojë dhe të lajmërojë rastin në Stacion Policorë ose në IPK.

Po ashtu i akuzuari Jashari pyeti dëshmitarin se përse nuk e ka lajmëruar me të thënat e të dëmtuarës L., dëshmitari shtoi se nuk e ka obligim që të lajmëroi kolegun e punës për veprën penale që pretendohet që e ka kryer vet ai.

I akuzuari Jashari gjithashtu pyeti dëshmitarin se përse e ka pyetur se a është takuar me të dëmtuarën L., dëshmitari sqaroi se nuk i kujtohet një bisedë e tillë.

“Nuk më kujtohet që na kena bisedu lidhur me këtë çështje”, deklaroi dëshmitari.

Në anën tjetër prokurori Zeqaj pyeti dëshmitarin se si e ka njohur të dëmtuarën Laurën, dëshmitari deklaroi se e njoh Laurën në bazë të zbatimit të urdhër arrestit që kishin marrë nga gjykata për të dëmtuarën L., lidhur me çështjen e besimit të fëmijëve.

Tutje dëshmitari sqaroi se marrja e shumës prej 110 eurosh L. nga i akuzuari Jashari kishte ndodhur para se ata të  zbatonin urdhër arrestin ndaj të dëmtuarës L.

Dëshmitari sqaroi po ashtu se arrestimi i të dëmtuarës L. ishte bërë për faktin se e njëjta nuk ka pranuar t’ia dorëzoj fëmijët bashkëshortit të saj sipas vendimit të gjykatës që tashmë ishte marrë.

Me pyetje ndaj dëshmitari vazhdoi edhe anëtari i trupit gjykues Naser Foniqi, ku dëshmitari deklaroi se nuk e di se përmes kujt do të ndikonte i akuzuari Jashari për lëndën që kishte në gjykatë e dëmtuara Laura lidhur me çështjen e besimit të fëmijës.

“Nuk kam njohuri”, shtoi ai.

Po ashtu dëshmitari në pyetjen e gjykatësit Foniqi tha se e dëmtuara L. nuk i ka treguar se i akuzuari Jashari ishte në detyrë zyrtare apo jo gjatë kohës kur pretendohet se ka marrë shumën prej 110 nga e dëmtuara L.

Kryetarja e trupit gjykues njoftoi se edhe pse i akuzuari Jashari kishte marrë për obligim vetë që të siguronte prezencën e dëshmitari Lavdim Idrizi, e njëjta sqaroi se nuk është arrit të sigurohet ky dëshmitarë.

Në anën tjetër prokurori Zeqaj propozoi që deklarata e dëshmitari Idriz të lexohet por që u kundërshtua nga i akuzuari Jashari, duke kërkuar që të shtyhet seanca me qëllim që t’i jepet kohë që dëshmitari të vjen dhe të jep deklaratën e tij.

Ky propozim u aprovua nga trupi gjykues me ç’rasti seanca e radhës për këtë çështje penale u caktuar me 15 dhjetorë të këtij viti, duke i dhënë kohë të akuzuarit që të sjellë dëshmitarin Idrizi për të dhënë deklaratën e tij lidhur me këtë rast.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në qershor të vitit 2020, e kishte ka shpallur fajtor zyrtarin policor të akuzuar për marrje ryshfeti, Isa Jashari.

Sipas aktgjykimit të shpallur, Jashari ishte dënuar me pesë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënim me gjobë në lartësi prej 300 euro.

Ndërsa, Gjykata e Apelit në nëntor 2020, kishte aprovuar ankesën e të akuzuarit dhe sipas detyrës zyrtare kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 23 janar 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Isa Jasharit, me pretendimet se i njëjti, më 10 maj 2017, rreth orës 14:30 në lokalin “Eni” në Fushë Kosovë, ka kërkuar dhe pastaj pranuar nga e dëmtuara L.I, shumën prej 110 euro, në emër të kryerjes së një rasti civil në Gjykatën e Skenderajt.

Sipas aktakuzës, këto para të pranuara nga e dëmtuara, i akuzuari i ka marr me qëllim që personi zyrtar në gjykatën në fjalë, të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në një rast ku e dëmtuara ishte e përfshirë si palë në një procedurë, e ku sipas aktakuzës, i akuzuari i kishte premtuar asaj këtë rast do t’ia kryente brenda tre ditësh.

Mirëpo, sipas prokurorisë, i akuzuari i kishte shkëputur pastaj të gjitha kontaktet me të dëmtuarën, derisa e njëjta kishte paraqitur rastin në polici.

Krejt këto veprime, siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Jashari i kishte ndërmarrë nga pozita e zyrtarit policor duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe duke i tejkaluar kompetencat e tij dhe duke mos i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër.