Lajme

Zyrtari i NISMA-s: Qeveria Kurti i ka sjellë raportet me SHBA-të në pikën më të ulët, opozita, të bëjë më shumë për t’i ndalur!

02/27/2024 13:26
nga:Y I

Sekretari i Përgjitshëm i Nisma Socialdemokrate, Bilal Sherifi, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka deklaruar se Qeveria Kurti i ka sjellë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një pikë mjaft të keqe.

Sherifi tha se raportet Kosovë-SHBA janë në pikën më të ulët që kanë qenë ndonjëherë.

Ai tha se nëse vazhdohet kështu, do të shkatërrohet gjithçka, që është arritur me vite.

“Marrëdhëniet me SHBA-të nuk janë krijuar për një ditë dhe nuk mund të prishen për një ditë. Problemi është që qeveria Kurti e ka sjellë raportet me SHBA-të në një pikë mjaft të keqe. Tanimë mund të themi se janë në pikën më të ulët që kanë qenë ndonjëherë. Diçka që është ndërtuar për 30 vite duke filluar nga periudha e Lëvizjes paqësore me në krye Ibrahim Rugovën pastaj periudha e Ushtrisë Çlrimitare të Kosovës me në krye Hashim Thaçin pastaj qeveritë e njëpasnjëshme, të gjitha kanë kultivuar raporte të mira me SHBA-të. Kjo qeveri ka dëshmuar se në Kosovë mund të vijnë njerëz të cilët raportet e mira me SHBA-të nuk i kanë edhe aq për zemër. Eshtë rrezik i madh tani dhe opozita duhet të bëjë më shumë që t’ia bëj të qartë qytetarëve të Kosovës që kanë votuar një qeveri/klasë politike e cila do të shkatërrojë, nëse vazhdon edhe pak, sigurt do të shkatërrojë gjithçka që është arritur gjithë këto vite” deklaroi Sherifi për “Gazeta Blic”

Sekretari i NISMA-s tha se duhet të bëhet më shumë nga partitë opozitare për t’iu bërë të qartë qytetarëve se çfarë qeverie kanë votuar dhe se në zgjedhjet e ardhshme të mos votohet në asnjë mënyrë.

“Duhet të bëhet më shumë sepse jetojmë në një sitem demokratik, ku qeveritë ndërohen me zgjedhje, partitë opozitare duhet të dalin çdo ditë e të flasin me zgjedhësit dhe t’ua bëjnë me dije që në zgjedhjet e ardhshme kjo Qeveri në asnjë mënyrë mos të merr shumicën për të krijuar Qeverinë” deklaroi Sherifi për “Gazeta Blic”.

Bilal Sherifi, NISMA!

Hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së me, 1 shkurt, ku ndalohet përdorimi i dinarit, ka acaruar raportet Kosovë-SHBA.

Ishte Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, James O’Brien, i cili deklaroi ditë më parë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.

Ai tha se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”deklaroi O’Brien raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/