Delegati i Kuvendit Qendror dhe anëtari i Degës së LDK-së, në Gjakovë, Arben Berisha, thotë se partia pjesë e së cilës është, ende nuk i ka paguar borxhin e disa prej vëzhguesve në zgjedhjet lokale që u mbajtën me 14 tetor.
Në një bisedë për Gazeta Blic, Berisha thotë se LDK, atij dhe disa personave të tjerë, u ka mbetur borxh paratë për punën e tyre si vëzhgues në zgjedhjet lokale.
Ai theksoi se përgjegjësit për financa në kuadër të LDK-së, nuk po u përgjigjen thirrjeve të tyre dhe kërkesës për kryerjen e obligimit financiar ndaj tyre.
Ata kanë publikuar edhe ankesën e tyre në rrjete sociale, por që ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Kryerja e obligimit financiar ndaj tyre është dashur që të përfundojë qysh kohë më parë, por që ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë.