Lajme

Zyrtari i lartë amerikan sot për vizitë në Kosovë, takohet veç me Osmanin, jo edhe me Kurtin

03/20/2024 07:56
nga:N K

Ndihmës Sekretari amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson do të jetë për vizitë dyditore në Kosovë nga sot deri më 22 mars.

Siç njofton Departamenti Amerikan i Shtetit, Robinson do të takohet vetëm me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, por jo edhe me kryeministrin Albin Kurti, ashtu siç ndodhi me zyrtarin amerikan i cili në dy ditët e fundit ishte për vizitë në Tiranë, e që pati takim me kryeministrin Edi Rama.

“Nga data 20-22 mars, Ndihmës Sekretari Robinson do të udhëtojë në Prishtinë, Kosovë, ku do të takohet me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe me partnerët e INL-së në sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Me Kurtin s’u takua as zyrtarja e lartë e USAID-it, Erin McKee, e cila pati takim vetëm me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Mungesa e takimeve me zyrtarë të lartë amerikanë me Kurtin vjen pas acarimit të raporteve në mes Qeverisë Kurti dhe Administratës Biden.

Këtë e ka bërë të ditur edhe emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se në pothuajse tri vite të Qeverisë Kurti nuk ka pasur asnjë takim të nivelit të lartë “mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane”.