Lajme

Zyrtari i DASH’it shkon edhe në Gjykatën Kushtetuese, flet me kryetarin për “vendimet me rëndësi”

12/09/2025 19:42
nga:Genita C

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi, ka pritur sot në takim zyrtarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Lyn Debovoise, i cili është zëvendësdrejtor për Çështjet e Europës Qendrore Perëndimore.

Në njoftimin e lëshuar nga Kushtetuesja thuhet se temë diskutimi ishin roli dhe funksioni i Gjykatës, përbërja e saj aktuale, vendimet me rëndësi, procedura për zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues, si dhe sfidat në punën e deritanishme.

“Kryetari Rexhepi e njoftoi z. Debevoise edhe për angazhimin e Gjykatës në rritjen e efikasitetit për procedimin dhe zgjidhjen e lëndëve gjyqësore, për konsolidimin e praktikës së saj gjyqësore në harmoni me standardet evropiane të drejtësisë kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Rexhepi ka shprehur falënderimin e tij për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara, për mbështetjen e ofruar Gjykatës ndër vite në ngritjen e kapaciteteve të saj profesionale dhe infrastrukturore.

Debovoise ka takuar sot edhe Kryetarin e KQZ’së, Kreshnik Radoniqin.

“Gjatë këtij takimi, kryesuesi Radoniqi e njoftoi z. Debevoise për përgatitjet që KQZ është duke i zhvilluar në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të planifikuara të mbahen më 28 dhjetor 2025”, ka njoftuar KQZ.